Juventusi organizoi dje mbrëmjen gala për 100-vjetorin e familjes Anjeli në krye të klubit bardhezi, në të cilën morën pjesë shumë prej ikonave bardhezi, ku natyrisht nuk mund të mungonte një prej legjendave të kësaj skuadre, Zinedin Zidan.
Francezi ka qenë gjithashtu ëndrra e madhe e ish-presidentit Andrea Anjeli për stolin e “Zonjës së Vjetër”, por ndoshta një ditë, kjo gjë do të realizohet, duke parë edhe nostalgjinë që kuptohet qartë nga fjalët e Zidanit:
“Në këtë klub kam përjetuar shumë emocione, vërtet shumë… Po si mund të mos mendosh për ‘Avokatin’ (Xhani Anjelin), i cili ishte gjithmonë shumë i kujdesshëm, i vëmendshëm ndaj meje. Nuk do t’i harroj kurrë ato telefonata në të gdhirë, pas një ndeshjeje që ne kishim fituar, apo akoma më shumë mbi vëmendjen dhe lidhjen e fortë të tij me këtë skuadër, aq sa rrallë herë mungonte në stërvitjet tona, në periudhën që unë isha pjesë e Juves.
Dhe që ta dini, sa herë shfaqej Xhani Anjeli, bota dukej sikur ndalej! Dhe e vërteta është se Juventusi për mua ka qenë gjithmonë më shumë se një familje. Ky ishte një vend në të cilin mësova realisht se çfarëdo të thotë konkurrueshmëri. Dhe nuk po flas vetëm si lojtar, sepse ndjenja që ushqehej te Juventusi dinte të të shtynë edhe në jetë, për të të bërë një burrë më të mirë, një familjarë më të denjë. Ky është Juventusi”, u shpreh Zinedin Zidan për të pranishmit.
PANORAMASPORT.AL