Lajmet nga seanca e fundit stërvitore: Kieza ka bërë punë të diferencuar, por po kapërcen dyshimet dhe frikën për gjendjen e tij dhe qëndron në Koverçano për t’u rikuperuar për kualifikuesen e Italisë kundër Anglisë të martën.
Di Lorenco, i cili u ndal të hënën për shkak të një problemi në kavilje, mori pjesë në të gjithë seancën stërvitore dhe është në rregull. Ai dhe Kieza janë dy nga të paktët veteranë të triumfit në Europianin e Anglisë, që kanë mbetur në kombëtaren e kaltër. Kapiteni i Napolit mezi po pret të kthehet në “Wembley”. Kujtimi i stadiumit mitik të Anglisë mbetet i paharrueshëm, por Spaleti po përpiqet ta çojë kombëtaren drejt së ardhmes, duke e distancuar atë nga një kampionat europian që tani duhet të arkivohet si pjesë e së shkuarës. Largimeve të tre senatorëve Bonuçi, Zhorzhinjo dhe Verrati, tashmë të përjashtuar një muaj më parë, i shtohet ajo e Spinacolës, i cili u largua nga skena me dy lëvizje: në tribunë në shtator kundër Maqedonisë së Veriut dhe Ukrainës.
Dhe nuk është grumbulluar as këtë herë. Ftesa e 20-vjeçarit Udogi vjen si një ndryshim i brezit ndaj lojtarit të Romës, tashmë i parakaluar nga një Dimarko që është në rritje. Imobile është jashtë për shkak të lëndimit, por ai është 33 vjeç dhe Raspadori, Skamaka, Ken dhe Retegui po bëjnë presion. E kështu, grupi në punë këto ditë në Koverçano ka vetëm 11 nga 26 veteranë të triumfit në “Wembley” dhe nga formacioni tipik i atij Europiani kanë mbetur vetëm Donaruma, Di Lorenco, Barela dhe Kieza.
Mes një vështrimi nga e shkuara dhe një vështrimi nga e ardhmja, puna e Spaletit vazhdon përpara ndeshjeve kundër Maltës dhe Anglisë. Trajneri bëri disa eksperimente: Udogi në mesfushë, duke vendosur dy formacione dhe për rrjedhojë 2 sulme të ndryshme: nga njëra anë Orsolini, Skamaka dhe Zaniolo. Nga ana tjetër, Berardi, Raspadori dhe Ken, me lojtarin e Juve të provuar edhe si qendërsulmues, edhe si sulmues anësor.
ANDROKLI DRALO-PANORAMASPORT.AL