Trajneri i Spanjës, Luis de la Fuente, ka dalë në konferencën për shtyp para ndeshjes vendimtare kundër Skocisë të vlefshme për kualifikueset e “Euro 2024”.
Numri një i stolit të iberikëve ka nënvizuar se Spanja e tij është më e fortë se Skocia, por këtë duhet ta tregojë në fushën e lojës. Takimi në Sevilje është dhe një mundësi revanshi për Spanjën për humbjen e pësuar marsin e kaluar në Gllazgou. “Pas humbjes që kemi pësuar në Skoci në ndeshjen e parë, kemi nxjerrë përfundimet e duhura dhe jam i bindur se tani jemi një skuadër më e mirë.
Mendoj se jemi më të fortë se Skocia, por një gjë të tillë duhet ta vërtetojmë në fushën e lojës. Objektivi ynë është i qartë, duam tri pikët për kualifikimin në Europian. Për fat të gjithë lojtarët janë në formën e duhur dhe të gatshëm” tha ai.