Julian Nagelsman debutoi në mënyrën më të mirë të mundshme në stolin e kombëtares gjermane, duke mundur në miqësore 1-3 Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ishin Gyndogan, Fylkrug dhe Musiala ata që përmbysën golin e Pulisiç dhe i dhanë fitoren e parë ish-teknikut të Bajernit.
Gjithsesi pas sfidës, Nagelsman u shpreh se skuadra ka shumë për të rregulluar sidomos në fazën mbrojtëse dhe gjithashtu i “thuri” elozhe sulmuesit të Dortmundit.
“Ne nuk i bëmë gjërat siç duhet në fazën mbrojtëse, gjë që është normale duke parë që kishim në dispozicion një kohë shumë të shkurtër. Kemi ende shumë për të përmirësuar.
Fyle (Fylkrug) gjithmonë e gjen veten në pozicione të mira. për këtë arsye është një sulmues i klasit të lartë.
Kisha ndjesinë që në pjesën e parë ne donim që ta mbyllnim ndeshjen shpejt. Po, u përpoqëm që të finalizonim çdo situatë me shumë rrezik dhe kjo bëri që të humbnim shumë topa.
Në pjesën e dytë kishim sërish një dëshirë të madhe për të shënuar, por me më shumë qetësi. Ishim mjaft mirë në pozicionime dhe me qetësi krijuam po aq raste si në pjesën e parë, por me më shumë kontroll. Ky ishte ndryshimi”, u shpreh 36-vjeçari.
PANORAMASPORT.AL