Anglia kundër Italisë në “Wembley”, për një brez do të ketë gjithmonë jehonë të dhimbshme: penalltitë e humbura, shansi i humbur. Anglia do të ndiejë gjithmonë euforinë e krosimit të hershëm të Kieran Tripierit që goditet nga Ljuk Shou për t’i dhënë epërsinë në finalen e “Euro 2020”.
Të martën do të ketë një tjetër shans për shpagim. Sigurisht që nuk bëhet fjalë për një hakmarrje 100%, duke parë se nuk luhet për të njëjtën peshë gjërash, por një fitore do të garantonte kualifikimin e Anglisë në “Euro 2024”. Jo vetëm kaq. Pasi mundi Italinë 2-1 në Napoli në fillim të këtij viti, është një shans për të ndërtuar reputacionin në rritje të asaj që shumë tifozë neutralë do ta konsideronin si ekipin më të mirë në Europë. Një fitore e sigurt do të rezononte në të gjithë botën.
“Emocion”, është fjala që Tripier përdor për të përshkruar perspektivën në vend të “hakmarrjes”. “Është një tjetër ndeshje e madhe, një mundësi për ne që të bëjmë një paraqitje. Ne e dimë se ku jemi në grup. Napoli ishte një fitore e madhe për ne, Italia është një skuadër e shkëlqyer, e dimë rëndësinë e fitores dhe fazat e grupit dhe çfarë do të ndodhte nëse fitojmë”, thotë mbrojtësi anësor i “Tre Luanëve”. Që pas humbjes së finales, Xhek Grilish dhe Fill Foden kanë fituar tripletën me klubin, ndërsa Xhon Stons, gjithashtu pjesë e ekipit fitues së Mançester Sitit, ka zhvilluar një fleksibilitet taktik që e posedojnë vetëm më të mirët në botë.
Deklan Rajs dhe Xhejms Medison janë lojtarë më të mirë pas dy vitesh. Bukajo Saka e ka kthyer atë penallti të humbur ndaj Italisë në një platformë për të qenë një nga lojtarët më të mirë në botë. Trent Aleksander-Arnold tani duket një pjesë kyçe e ekipit dhe diapazoni i tij i pasimeve është i pakrahasueshëm në futbollin botëror. Dhe pastaj është Xhud Bellingam. “Ai mund të jetë ndryshimi”, thotë mbrojtësi i Njukasëllit. “Por nëse shikoni të gjithë ekipin, nga viti 2018 e deri më tani ne kemi bërë hapa të mëdhenj.
Ne kemi lojtarë që mund të ndryshojnë ndeshjet, ne kemi gola nga e gjithë fusha: Xhud, Medërs, Bukajo, Fill, ata mund të ndryshojnë ndeshjet në momente të caktuara. Ata janë ende të rinj. Skuadra ka ndryshuar plotësisht që nga Rusia dhe nëse shikoni talentin, është e frikshme. Është gjithmonë e rëndësishme të kesh lojtarë më të vjetër dhe lojtarë me përvojë për të ndihmuar dhe drejtuar lojtarët më të rinj…
Përgatiti: ANDROKLI DRALO -PANORAMASPORT.AL