Kajl Uoker kërkon hak marrje për atë finale të humbur të Europianit të shkuar kundër Italisë. I pyetur në konferencën e djeshme për mbajtjen nga fanella të Kielinit ndaj Sakës në “Wembley” verën e dy viteve më parë, mbrojtësi i Anglisë tha: “Nuk e kam parë memen. Nuk ndjek rrjetet sociale dhe internetin. Por me gjithçka që ka arritur dhe klubet që ka luajtur, kjo flet vet. Ne dështuam atë natë. Shpresojmë se mund të marrim pak shpagim”.
Anësori i Mançester Sitit shpreson që në Gjermani verën e ardhshme Anglia të bëjë atë që iu afrua aq pranë në shtëpinë e saj në turneun e fundit dhe i premton edhe besnikëri fanellës së kombëtares:
“I shkuam aq afër në atë verë të veçantë. Të pësosh një gol përmes një goditjeje standarde kur ishim aq mirë, ishte shkatërruese. Në nivel klubi, dy vjet pas humbjes së finales së Ligës së Kampioneve kundër Çelsit, ne fituam tripletën. Ekipet mësojnë nga finalet dhe pengesat dhe shkojnë për të arritur diçka të madhe. Do të luaja përgjithmonë me Anglinë”.
HENDERSON – 33- vjeçari mbrojti edhe mesfushorin Xhordan Henderson nga trajtimi që po i bëjnë tifozët e Anglisë pas transferimit në Arabi. Ish-kapiteni u vërshëllye në miqësoren e fundit kundër Australisë në momentin e zëvendësimit:
“Nuk ishte bukur t’i dëgjoje. Unë e njoh Xhordanin prej moshës 9-vjeçare. Të shohësh atë që ai ka bërë për vendin gjatë këtyre viteve, ai ka pasur një rol shumë të madh në ruajtjen e unitetit të grupit. Të gjithë kanë të drejtën për të pasur mendimin e tyre. Unë e mbështes plotësisht Xhordanin dhe vendimin e tij për të shkuar në Arabi”.
KALENDARI – Por Uoker komentoi edhe kalendarin e ngjeshur që ka bërë të ankohen trajnerët e klubeve kryesore për shkak të numrit të lartë të dëmtimeve:
“Ne jemi mësuar me të prej disa vitesh, veçanërisht në nivel klubi, ku luhet çdo tri apo katër ditë. Trupi nis dhe përshtatet me këtë. Nuk më takon mua të rishkruaj ligjet. Nuk mund të komentoj është e drejtë apo e gabuar. Unë do të jap gjithnjë maksimumin tim”.
Përgatiti: ANDROKLI DRALO – PANORAMASPORT.AL