Herri Kejn është përfshirë direkt në të pa ktën një gol në 19 nga 19 ndeshjet e tij kualifikuese të Europianit për Anglinë: 22 gola, 8 asiste), përfshirë 16 të fundit. E vetmja herë që kapiteni i “tre luanëve” nuk shënoi pasi asistoi ishte kundër Estonisë në tetor 2015.
Duke folur për mikrofonat e “Channel 4”, golashënuesi më i mirë i ishullorëve, i cili dje festoi golin e 60-të dhe 61-të me fanellën e kombëtares tha se Anglia hyri në fushë me ndjesinë e hakmarrjes për humbjen në finalen e “Euro 2020”, pikërisht në “Wembley” përballë italianëve: “Sigurisht që disa kujtime janë ende atje, veçanërisht në këtë stadium. Është një ndjesi e shkëlqyer që t’i mundësh italianët këtu në ‘Wembley’, por në futboll ti duhet të shohësh përpara dhe përqendrohesh te sfida e radhës dhe rëndësi kishte sigurimi i kualifikimit për Europianin e ardhshëm”.
Ylli i Bajernit është përfshirë direkt në 33 gola në 30 ndeshjet e tij të fundit për përfaqësuesen (27 gola dhe 6 asiste), përfshirë edhe rekordin se ka shënuar ose asistuar në secilën prej 10 ndeshjeve të fundit për skuadrën e Garet Sauthgejtit.
Herri Kejn shënoi gjithashtu minimalisht 2 gola për Anglinë për herë të 11-të dhe vetëm Net Lofthauz (12) ka shënuar të paktën dy gola në më shumë ndeshje për “tre luanët”.
“Kualifikimi nuk është kurrë i lehtë. Ndonjëherë merret e mirëqenë që duhet të jesh në turnetë e mëdhenj, por ne e kemi parë në të shkuarën se nuk është aq e thjeshtë sa duket. Pas disavantazhit ruajtëm qetësinë. E dinim që mund ta fitonim ndeshjen dhe e bëmë. Më pëlqen të shënoj në ‘Wembley’. Është shtëpia jonë. Ne e bëmë kualifikimin të dukej kaq i thjeshtë, ndërkohë që kombëtaret e tjera të mëdha kanë vuajtur. Rekordet? Po i shijoj, tani të shohim se sa larg mund të shkojmë në Europianin e ardhshëm”.
Përgatiti: ANDROKLI DRALO – PANORAMASPORT.AL