Interi udhëheq Serinë A me 22 pikë në 9 javët e para dhe po ashtu është në krye të grupit D të Ligës së Kampioneve me 7 pikë në 3 ndeshje, së bashku me Real Sociedadin. Një kryesim i dyfishtë i zikaltërve (në Europë vetëm Interi dhe Reali kryesojnë kampionatin dhe grupin e Champions-it), i cili nuk është unik në historinë e tyre, por as i shpeshtë.
Për këtë mjafton të themi se e ka arritur vetëm Roberto Mançini në sezonin 2007-2008, 16 vite më parë. Atë sezon Interi fitoi titullin dhe në Ligën e Kampioneve u eliminua në fazën e 1/8-ave, me klubin që një vit më vonë e ndërpreu bashkëpunimin me trajnerin. Pas italianit erdhi në stol Murinjos, i cili nuk ia doli t’u gëzohej dy kryesimeve as në vitin e tripletës.
Të gjithë mbajnë mend në 2009-2010 përmbysjen e Kievit dhe sigurimin e kualifikimit të Interit përtej grupeve në xhiron e fundit. Interi aktual nuk dëshiron t’i lërë asgjë në dorë rastësisë, ka një ndërgjegjësim tjetër dhe synon objektivin e trefishtë: titullin, vendin e parë në Ligën e Kampioneve dhe më pas përjetimin e një faze të madhe me eliminim direkt dhe triumfin në Kupën e Italisë.
Në Europë të gjithë duan ta mbyllin sa më shpejt çështjen e kualifikimit dhe mund ta bëjnë këtë qysh në ndeshjen e radhës kundër Salcburgut, një arritje kjo që mund t’i lejojë t’i menaxhojnë më mirë forcat deri në shkurt. Në Serinë A, Roma, Atalanta dhe Frozinone janë rivalë që deri në pauzën e kombëtareve në nëntor mund t’i japin një dorë të mirë në renditje. Më pas janë Juve e Napoli…
PANORAMASPORT.AL