Të gjithë bien në një mendje se protagonistët kryesorë në një ndeshje futbolli duhet të jenë 22 futbollistët në fushë. Por pragndeshja ndërmjet Barcelonës dhe Realit të Madridit është paraprirë nga polemika në lidhje me arbitrimin. Federata spanjolle ka caktuar që kryendeshja e kësaj jave në La Liga të drejtohet nga Hezus Gil Manzano, një nga gjyqtarët më të respektuar në futbollin spanjoll.
Federata spanjolle është menduar gjatë për gjetjen e emrit të duhur për këtë sfidë, kjo për shkak të polemikave që dy klubet kanë pasur në këtë fillimsezoni kundër gjyqtarëve. Si Barcelona dhe Reali janë ankuar jo pak në këtë sezon.
Edhe caktimi i Gil Manzanos nuk është se ka kaluar pa polemika. Veçanërisht ata në Barcelonë janë të pakënaqur me të. Jo sepse nën drejtimin e tij Barça ka humbur të dyja “Klasiket”.
Por për faktin se ai është paragjykuar për shumë vendime kundër Barçës në të shkuarën, ku mediat pro Barçës i kanë numëruar kartonët e kuq në adresë të Mesit, Luis Suarezit, Zhoao Kanselos dhe Robert Levandovskit mes të tjerëve.
Gjithsesi, si trajneri i Barcelonës, Ksavi Hernandez, ashtu dhe ai i Realit, Karlo Ançeloti, janë përpjekur të qetësojnë ujërat.
BARCELONA – Duke komentuar për Manzanon, Ksavi është munduar të lehtësojë gjyqtarin e takimit. “Federata ka zgjedhur një gjyqtar dhe unë mendoj se sa më pak të flasim për të, aq më mirë. Është i paanshëm apo jo? Unë gjithmonë them se besoj në ndershmërinë e arbitrit… që ai të mbajë sa më drejtë ndeshjen”, ka deklaruar trajneri i Barcelonës.
REALI I MADRIDIT – Edhe trajneri i Realit, Karlo Ançeloti, e sheh si Ksavi çështjen e gjyqtarit, duke mos ushtruar presion mbi të. “Manzano është një nga gjyqtarët më të vlerësuar në Europë, UEFA dhe FIFA e njohin mirë. Unë e njoh shumë mirë. Ai ka profilin e duhur për të arbitruar një ndeshje si kjo ndërmjet Barcelonës dhe Realit të Madridit”, ka theksuar tekniku i “los blancos”.
BILANCI – Gil Manzano, pavarësisht eksperiencës dhe reputacionit të tij e ka drejtuar vetëm dy herë “Klasiken” ndërmjet Barcelonës dhe Realit të Madridit. Dhe në të dyja rastet fitues janë shpallur madrilenët.
PANORAMASPORT.AL