Trajneri i Ferizajt, Arsim Abazi, ka akuzuar rëndë gjyqtarët e këtij edicioni në futbollin e Kosovës, e në veçanti, Genc Nuzën, gjyqtarin kryesor të finales së Kupës së Kosovës.
Trajneri Abazi ka thënë se ka qenë e vendosur nga fillimi që Ferizaj të largohet nga Superliga dhe ta humb Kupën e Kosovës.
“Së pari e uroj Dukagjinin për fitoren. Më vjen keq që ndodhin këto referime, përballë kishim gjyqtar me stemë të FIFA-s. Nuza më tha që nuk ishte penallti për të në pjesën e parë, dhe në pjesën e dytë tha se nuk do ta shoh VAR-in. Ishte penallti sepse kundërshtari e hoqi topin me dorë dhe ai nuk e shikoi VAR-in”, tha Abazi për të vazhduar.
“Më vjen keq që në finale shohim këto gjëra, më vjen keq që na shohin me këto lloj marrëzish. Nuk mund të vendos unë ta tërheq ekipin, ka president e drejtor, dhe lojtarët nuk donin ta vazhdonin lojën. Në bisedime me presidentin dhe drejtorin u vendos që ekipi të kthehej në fushë. Në katër minuta shtesë, pesë minuta i mori kohë VAR-i. Tetë zëvendësime u bënë dhe kishte vetëm katër minuta shtesë. Nga liga kemi rënë nga këta gjyqtarë. Ka qenë nga fillimi që Ferizaj të largohet nga Superliga dhe ta humb Kupën”, deklaroi Abazi pas ndeshjes.
Po ashtu, edhe FC Ferizaj në Facebook ka reaguar, duke përgëzuar gjyqtari. Genc Nuza.
“Genc Nuza, urime Kupa e Kosoves. Turpi ndryshe nuk eshte! Ne medalje nuk marrim”, ka shkruar Ferizaj.