Janë mbyllur dy ndeshjet e para të javës së 12-të të kampionatit Abissnet Superiore në RTSH. Egnatia ka mposhtur me rezultatin e thellë 5-1 Bylisin, ndërsa një gol i Kotobellit i ka dhuruar një fitore të çmuar 1-0 Teutës përballë Vorës.
Bakajoko ka qënë protagonisti i sfidës në “Egnatia Arena”, duke shënuar 3 gola në portën e Bylisit. Vendasit nisin shumë mirë takimin dhe arrijnë të zhbllokojnë shumë shpejt sfidën me Bakajokon. Bylisi mbetet me 10-të lojtarë, pas Kane largohet me karton të kuq. Bakajoko shënon sërish në portën e mallakastriotëve.
Me fillimin e pjesës së dytë është Jahaja, ai që ndëshkon Bylisin dhe shënon golin e tretë për Egnatian. Vendasit fitojnë një penallti, që kthehet në gol nga Bakajoko, që shënon golin e tretë personal dhe të katërtin për rrogozhinasit.
Bylisi reagon dhe shënon me Mouktar, por Egnatia shënon edhe golin e pestë me Buric. Mbyllet 5-1 sfida në Rrogozhinë. Egnatia ngjitet në kuotën e 22 pikëve, ndërsa Bylisi mbetet në kuotën e 12 pikëve.
Plot me emocione ka qenë edhe sfida e luajtur në “Niko Dovana”, aty ku Vora (si skuadër pritëse, pas marrëveshjes mes klubeve) priste Teutën. Durrsakët shënojnë me Arifin në pjesën e parë, por goli anulohet. Kotobelli shënon golin që vulos fatin e takimit në pjesën e dytë. por minutat shtesë janë dramatike, pasi Vora shënon me Felipen golin e barazimit, që anulohet për një faull në zonë. Mbyllet 1-0 për Teutën, që ngjitet në kuotën e 18 pikëve, ndërsa Vora mbetet 14 pikë në klasifikim.


