Abissnet Superiore në RTSH, ja verdiktet e javës së 20-të
Java e 20-të e kampionatit “Abissnet Superiore” solli emocione, rivalitet dhe rezultate interesante, duke konfirmuar edhe një herë nivelin e lartë të konkurrencës në këtë sezon.
Në mbrëmjen e së hënës, në “Air Albania”, Vllaznia arriti një fitore të rëndësishme në transfertë, duke mundur Dinamo City-n me rezultatin 2-0. Një përballje e luftuar dhe me ritëm të lartë, ku shkodranët u treguan më konkretë, duke marrë tre pikë me peshë dhe duke u ngjitur në vendin e dytë të renditjes, dy pikë më pak se Egnatia kryesuese.
Më herët gjatë së hënës, në orën 17:00, në “Arenën e Demave”, Partizani reagoi pozitivisht duke triumfuar 2-1 ndaj Teutës. Një sukses që i jep skuadrës së kuqe besim, pas një ecurie me rezultate jo pozitive.
Në orën 13:30, Vora dhe Tirana u ndalën në barazimin 1-1, në një duel spektakolar dhe të luftuar deri në minutën e fundit.
Ndeshjet e javës nisën të dielën me dy sfida paralele në orën 17:00. Në “Egnatia Arena”, përballja mes dy skuadrave në krye të renditjes, Egnatias dhe AF Elbasanit, përfundoi në barazim 2-2, pas një ndeshjeje me intensitet dhe emocione deri në fund.
Në Vlorë, Flamurtari u rikthye te fitorja duke mundur Bylisin me rezultatin 3-0, një sukses i rëndësishëm për vlonjatët në garën e kampionatit.
Pas javës së 20-të, Egnatia kryeson renditjen me 38 pikë. Vllaznia ndjek me 36 pikë, AF Elbasani renditet i treti me 35 pikë, ndërsa Dinamo City mban vendin e katërt me 33 pikë.