Thursday, 5. February 2026
Sport

Abissnet Superiore në RTSH/ Kërnaja: Bylisi ka ndryshuar shumë, Partizani do 3 pikët!

GS 05/02/2026 4 Min. Lesezeit

Trajneri i Partizanit, Oltijon Kërnaja, foli sot në konferencë shtypi për ndeshjen me Bylisin, duke theksuar se kundërshtari ka  pasur shumë lëvizje lojtarësh dhe kjo gjë i ka të dyja anët e medaljes. Sipas tij, të kuqtë do të zbresin në fushë vetëm për 3 pikët.

Gjendja ekipit në prag të ndeshjes me Bylis?

Së pari dua të uroj të gjithë familjen e kuqe për ditën e 80 vjetorin të Klubit të futbollit Partizani, por edhe të shumsportit Partizani, i uroj të kenë sa më shumë suksese dhe sa më shumë trofe. Për të vijuar me pyetjen tuaj ekipi është në gjendje të mirë. Pas një ndeshje të mirë ndaj Elbasanit po mundohemi të rikuperojmë pak energjitë, ndoshta të akumuluara nga vrapimet e shumta ndeshjen e fundit, por jemi mirë dhe në formë për ndeshjen e radhës.

Si e vlerësoni ekipin e Bylisit?

Sigurisht që Bylisi është një ekip i fortë, sidomos në fushën e tyre kanë treguar gjithmonë se dinë të luajnë futboll shumë të fortë, shumë agresiv. Eshtë një kundërshtar për tu vlerësuar. Ne si ekip thjesht do bëjmë detyrën tonë do hyjmë në fushë vetëm për të marrë 3 pikë, të cilat tashmë na duhen më shumë se çdo herë. Pas ndeshjeve të mira ka ardhur koha për të marr 3 pikët. Kemi ndjekur dy ndeshjet e fundit të Bylis në “Air Albania” me Dinamo City dhe në stadiumin “Adush Muça” janë ekip shumë cilësor, agresiv dhe sidomos në fushën e tyre janë ekip shumë i fortë.

Në fazën e kaluar pikërisht përpara ndeshjes ndaj Bylis deklaruat se do të merrnit 9 pikë. Mund ta bëni sërish një deklaratë?

Atëherë ka qenë momenti për të bërë një goditje, një hov për çunat. Tashmë ata e dinë që çdo ndeshje vlerësohet maksimalisht, hyjnë për 3 pikë çdo ndeshje. Nuk mendojmë fare për 3 ndeshjet e tjera, sepse kemi 10 ditë, janë shumë të ngarkuara. Kemi ndeshje të kampionatit, të kupës, ndeshje tjetër përsëri kampionati. Mendojmë vetëm për ndeshjen që luajmë nesër në Ballsh.

Në ndeshjen e parë në Ballsh jeni mundur 3–1?

Të them të drejtën kanë qenë situata krejt të ndryshme. Në stadiumin “Adush Muça” ka qenë një ekip tjetër. Mund të themi që të jemi pak më konkret para portës, golat po vijnë nuk është më si dikur që s’bënim dot gol, golat po shënohen. Duhet të jemi të kujdesshëm mbrapa mos marrim disa gola si ndeshjen e fundit.

Gjendja e mbrojtësit Sembene?

Sembene është stërvitur rregullisht me grupin pas atij kolapsi që i ndodhi. Sipas mjekëve thjesht ka pasur luhatje tensioni. Eshtë në rregull, është stërvitur dhe i gatshëm për ndeshje.

Ndryshimet te Bylis. Mendoni se është momenti më i mirë për tu përballur me tani?

Ka të dy anët mund të jetë pozitive dhe negative, sepse informacionin për Bylis nuk dimë saktësisht, duke qenë se kanë ndryshuar shumë lojtarë, si do luajnë, cilësitë e lojtarëve mbeten për t’u parë në fushë. Më shumë se 70% e ekipit të Bylis është ndryshuar nga ndeshja me Dinamo City. Kjo gjë ka të dy anët e medaljes, shpresojmë që të jetë ana e mirë për ne.

Të shtunën luhet derbi Tirana–Dinamo City?

Të them të drejtën, s’më intereson shumë. Më intereson vetëm ekipi jonë, Partizani. Vetëm kur të përballem me ta fillon pak interesi. Momentalisht shoh vetëm ndeshjen tonë të radhës.

Atmosfera e 80-vjetorit mund të jetë nesër një shtysë për ndeshjen me Bylis?

Djemtë kanë maksimumin, edhe ndeshjen e kaluar kanë dhënë më shumë se maksimumi. Sigurisht festa e 80-vjetorit është një shtysë siç festuam mbrëmë ta kthejmë festë edhe në fushë nesër.

Teilen: