Wednesday, 6. May 2026
Sport

Abissnet Superiore në RTSH/ Ndizet vigjilja e ndeshjes Flamurtari-Teuta, klubi vlonjat konteston arbitrin Hamiti

GS 06/05/2026 2 Min. Lesezeit

Ndeshja mes Flamurtarit dhe Teutës nis me polemika për shkak të arbitrit. Dueli, i cili do të transmetohet në orën 16:00 në RTSH Shqip, i është besuar arbitrit Eldorian Hamiti.

Në njoftimin e bërë publik pak minuta më parë klubi Flamurtarit ka bërë me dije se kishte kërkuar pranë FSHF-së që ky takim të mos i jepej kryesorit të lartpërmendur.

“Pavarësisht shkresave të dërguara në mënyrë zyrtare pranë Federatës Shqiptare të Futbollit, ku kemi paraqitur rezervat dhe problematikat tona të mëparshme, konstatojmë se në 4 ndeshjet e fundit ndaj Teutës, në 3 prej tyre është caktuar i njëjti arbitër.

Përvoja jonë me këtë arbitër ka qenë e shoqëruar me vendime të diskutueshme dhe situata që kanë ndikuar drejtpërdrejt në ecurinë e lojës, duke krijuar dyshime të arsyeshme mbi paanshmërinë dhe standardin e gjykimit.

Në këto kushte, ritheksojmë kërkesën tonë për një vlerësim më të kujdesshëm dhe profesional në përzgjedhjen e arbitrave, në mënyrë që të garantohet një garë e drejtë dhe transparente për të gjitha palët.

Ky reagim nuk ka për qëllim të cenojë askënd personalisht, por të mbrojë integritetin e garës dhe interesin e klubit tonë”, ishte reagimi i klubit kuqezi.

Teilen: