Para ndërprerjes së kampionatit për shkak të impenjimeve të Kombëtares në Nations League, Abissnet Superiore, që transmetohet në RTSH, do të luajë javën e 5-të. Kjo javë nis sot me sfidën Vllaznia-Teuta, që starton në orën 18:30.
Pas 4 ndeshjeve të para Vllaznia duket në krizë rezultatesh, pasi nuk ka marrë asnjë fitore (2 humbje, 2 barazime). Për këtë arsye ndeshja e sotme, edhe pse jemi ende në javën e 5-të, merr rëndësi të madhe për shkodranët. Trajneri Edi Martini nuk ka të gatshëm mesfushorin Mehmeti, i skualifikuar me karton të kuq.
Teuta vjen e pamposhtur në këtë ndeshje. Durrsakët kryesojnë tabelën e renditjes me 10 pikë, me 3 fitore dhe 1 barazim. Skuadra e trajnerit Edlir Tetova është shfaqur solide dhe sot mund të shfrytëzojë faktin që kundërshtari ka më shumë presion.
Java e 5-të e Abissnet Superiore vazhdon të shtunën me dy ndeshjet Vora-Skënderbeu dhe Dinamo-Laçi. Të dielën luhen edhe dy ndeshjet e fundit, mjaft interesante në letër, Tirana-Elbasani dhe Egnatia-Partizani.