Skuadrat kryesore kanë vuajtur për të gjetur rrugën e rrjetës javët e fundit. Nga 5-shja e parë vetëm Partizani shënoi ndeshjen e fundit.
Kampionati i Abissnet Superiore rikthehet këtë fundjavë me ndeshjet e javës së 30-të. Skuadrat kanë pasur kohë të rikuperojnë energjitë, ndonjë lojtar të dëmtuar dhe po ashtu të riparojnë diçka në problematikat e tyre, siç është shënimi i golit.
Skuadrat kryesore e presin javën e 30-të me shpresën për të gjetur golat e munguar. Nga 5 skuadrat e vendeve të para, në javën e 29-të Partizani ishte i vetmi që shënoi (2-2 ndaj Teutës).
Situata është më problematike në këtë drejtim për Vllazninë dhe Dinamon, që kanë 270 minuta pa gol. Shkodranët kryesues dhe blutë kryeqytetas e kanë pasur të vështirë të realizojnë gjatë tri ndeshjeve të fundit dhe për rrjedhojë edhe nuk kanë mundur të fitojnë.
Vllaznia regjistron dy barazime të bardha ndaj Dinamos dhe Egnatias, si dhe një humbje minimale në Vlorë ndaj Flamurtarit. Dinamo ndërkohë ka barazuar 0-0 në Shkodër dhe është mundur në fushën e vet 0-1 nga Teuta dhe 0-2 nga Partizani.