Friday, 27. February 2026
Sport

Abissnet Superiore në RTSH/ Shkodra pret sot “Klasiken”, Shehi nis misionin e shpëtimit të Tiranës

GS 27/02/2026 2 Min. Lesezeit

Vllaznia-Tirana ngre sot siparin e javës së 26-të të Abissnet Superiore, që transmetohet në RTSH. “Klasikja e Shqipërisë” është programuar të luhet në orën 19:00, në stadiumin “Loro Boriçi”.

Debuton në stolin e Tiranës trajneri Orges Shehi, i cili është rikthyer në këtë pozicion me objektivin për ta shpëtuar këtë skuadër nga rënia nga kategoria. Misioni i tij fillon sot në Shkodër, në një sfidë me koeficient të lartë vështirësie, pasi përballë janë kryesuesit e Abissnet Superiore, me 27 pikë më shumë në tabelën e renditjes.

Shehi ka vetëm pak ditë që ka marrë drejtimin e Tiranës, një ambient që e njeh mjaft mirë. Bardheblutë kanë nevojë emergjentë për pikë, sepse aktualisht mbajnë vendin e parafundit me 21 pikë. Në Shkodër do të ishte mirë edhe barazimi, duke pasur parasysh potencialin e kundërshtarit, që synon të forcojë pozitat në kreun e tabelës.

Katër ndeshjet e tjera të javës së 26-të luhen të shtunën dhe fillojnë me Vora-Dinamo City në orën 13:30. Më pas, në orën 16:30 luhen Partizani-Egnatia dhe Elbasani-Bylis, për ta mbyllur ditën me Teuta-Flamurtari në orën 19:30.

Teilen: