Monday, 4. May 2026
Sport

Abissnet Superiore në RTSH: Spektakël pa fitues në Ballsh

GS 30/08/2025 1 Min. Lesezeit

Emocione të mëdha dhe plot 6 gola ka dhuruar sfida, që hapi javën e dytë të kampionatit Abissnet Superiore në RTSH. Por nuk ka fitues në “Adush Muça”, pasi ndeshja Flamurtari-Bylis përfundon në barazim 3-3.

Vlonjatët kalojnë të parët në avantazh, falë një goli të shënuar Bourard, nga pika e bardhë e penalltisë. Maksuti shënon golin e dytë për Flamurtatin, por Bylisi reagon menjëherë, duke shkurtuar shifrat në aksionin pasardhës me Ualison.

Pjesa e dytë nis menjëherë me gol. Bylisi shënon golin e barazimit me Mouctar. Loja është e bukur dhe me ritëm. Flamurtari kalon sërish në avantazh me Maksutin, që shënon golin e dytë personal.

Mallkastriotët kundërpërgjigjen me Ualison, që rikthen sërish ekuilibrin në fushë. Në minutat e mbetura, të dyja skuadrat mundohen të gjejnë golin e avantazhit, por pa arritur që të shënojnë.

Mbyllet në barazim 3-3 ndeshja. Flamurtari merr pikën e parë në kampionat, ndërsa Bylisi koleksionon barazimin e radhës, pas atij ndaj Tiranës në javën e parë.

Teilen: