Abissnet Superiore rikthehet në RTSH pas pushimit të Kombëtareve për të luajtur javën e shtatë. Të shtunën në “Air Albania” Tirana pret Teutën në një duel, i cili gjen ekipin bardheblu në kërkim të konfirmimeve të mëtejshme pas triumfit të arritur pak ditë më parë përballë Partizanit.
Për të prezantuar këtë takim sot përballë gazetarëve u paraqit trajneri i Tiranës, Roberto Bordin, i cili zbuloi se si kishte shfrytëzuar pushimin dy javorë. “Kemi punuar në aspektin fizik me ekipin. Javën e kaluar iu dedikuam plotësisht atij drejtimi, ndërsa këtë javë përgatitëm takimin me Teutën”, tha tekniku italian.
Sa i përket rivales së radhës Bordin pranoi se: “Ajo me Teutën është një ndeshje shumë e vështirë sepse është një skuadër që mban ritëm të lartë gjatë gjithë ndeshjes. Por ne shikojmë çfarë ndodh në shtëpinë tonë dhe mundohemi të bëjmë më të mirën për të qenë gati”.
Mes të tjerash Bordin përfitoi për të bërë edhe një apel përballë lojtarëve: “Objektivi ynë është të përmirësohemi ndeshje pas ndeshje. Sigurisht nuk është se ndeshjet ngjasojnë, ndryshojnë nga njëra-tjetra, por ne duhet të bëjmë maksimumin dhe të marrim sa më shumë pikë. Shpirti i garës që duhet të kemi është pjesa e dytë ndaj Dinamos, ai është shpirti i Tiranës”.