Vora feston në mënyrën më të mirë inaugurimin e stadiumit të ri (të rikonstruktuar), pasi mposhti 1-0 Partizanin në sfidën e vlefshme për javën e 19-të të kampionatit Abissnet Superiore. Një gol i Dario Dakës në minutën e fundit të takimit i ka dhënë një fitore të çmuar skuadrës së Bellait.
Pas dakordësimit të dy klubeve, sfida është luajtur në stadiumin e Vorës, ndonëse Partizani ishte skuadra pritëse. Një ditë feste për vendasit, që inauguruam në mënyrën më të mirë stadiumin e ri, duke mposhtur 1-0 Partizanin dhe duke marrë 3 pikë të çmuara në luftën për mbijetesë.
Sfida e transmetuar në RTSH Sport ka qenë e bukur, e luftuar dhe e tensionuar. Partizani është më kërkues, madje në fundin e pjesës së parë ka një shans të artë për të kaluar në avantazh, por Toma gabon nga pika e bardhë e penalltisë.
Edhe në pjesën e dytë, “të kuqtë” janë më kërkues, por ndëshkohen në minutën e fundit të kohës së rregullt nga Daka. Goli fillimisht anulohet për pozicion jashtë loje, por pas verifikimit në VAR, akordohet i rregullt. Ka tension në minutat e mbetura, por jo ndryshim rezultati.
Vora fiton 1-0 përballë Partizanit dhe ngjitet në kuotën e 22 pikëve në klasifikim, një më pak se “të kuqtë”, që pësojnë humbjen e tretë radhazi në kampionat.


