Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi thotë se gjendja e fushës së stadiumit “Fadil Vokrri” është e shkëlqyeshme, derisa ka postuar në Facebook foto nga stadiumi, transmeton KosovaPress.
“Fusha e stadiumit “Fadil Vokrri” është në gjendje të shkëlqyeshme, falë përkushtimit dhe punës së vazhdueshme të ekipit të mirëmbajtjes. Çdo detaj po trajtohet me kujdes, me qëllim që të sigurohet një sipërfaqe loje në standarde të larta, e gatshme për ndeshje të rëndësishme.
Kjo fushë do të jetë nikoqire e finales së Kupës së Kosovës për meshkuj dhe femra, që do të zhvillohen në prag të ndeshjeve miqësore të Kombëtares A në muajin qershor.
Përgatitjet janë drejt përfundimit, me qëllim që çdo aktivitet të zhvillohet në kushte ideale dhe atmosferë dinjitoze për futbollin kosovar”, ka shkruar Ademi.