Friday, 28. August 2026
Sport

Ademi në Monako, pjesë e takimit të nivelit të lartë të UEFA-s: Diskutuam për të ardhmen e qeverisjes së futbollit botëror

GS 28/08/2026 2 Min. Lesezeit

Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi, ka marrë pjesë në aktivitetet e UEFA-s në Monako, ku sot u hodh shorti për fazën e ligës së UEFA Champions League, ndërsa nesër do të përcaktohen edhe përballjet e Europa League dhe Conference League.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Ademi ka ndarë momente nga qëndrimi i tij në Monako, duke veçuar takimin me zëvendëspresidentin e UEFA-s, Armand Duka, si dhe pjesëmarrjen në takimin e presidentëve të federatave evropiane dhe përfaqësuesve të UEFA-s, transmeton lajmi.net.

“Kënaqësi e veçantë të jem këtu së bashku me mikun tim, zëvendëspresidentin e UEFA-s, Armand Duka, në mesin e shumë personaliteteve që simbolizojnë futbollin evropian”, ka shkruar Ademi.

Sipas tij, në takimin me drejtuesit e federatave evropiane dhe përfaqësuesit e UEFA-s është diskutuar për të ardhmen e qeverisjes së futbollit botëror, me fokus në forcimin e transparencës, llogaridhënies dhe respektimin e parimeve institucionale.

Ademi ka theksuar rëndësinë e këtyre diskutimeve për zhvillimin dhe qeverisjen e futbollit në nivel evropian dhe botëror./lajmi.net/

Teilen: