Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, është nisur sot në një udhëtim të rëndësishëm drejt Austrisë, ku pritet të takojë trajnerin e Kombëtares së Kosovës, Franco Foda.
Burime ekskluzive për kp bëjnë të ditur se qëllimi i këtij takimi është diskutimi mbi të ardhmen e Fodës në krye të ekipit kombëtar, në një kohë kur emri i tij është përfolur për një largim të mundshëm.
Sipas raportimeve të fundit, Foda ka marrë një ofertë serioze nga një klub i njohur në Ligën Arabe, çka ka ngritur shqetësime te drejtuesit e FFK-së për vazhdimësinë e bashkëpunimit me trajnerin gjerman.
Agim Ademi pritet të ketë sqarime të drejtpërdrejta me Fodën rreth ofertës që ka marrë dhe nëse ai është ende i përkushtuar ndaj projektit të Kombëtares së Kosovës.
Foda mori drejtimin e Kosovës në vitin 2023 dhe që atëherë ka qenë pjesë e një procesi rindërtimi dhe ringritjeje për përfaqësuesen, e cila ka shfaqur luhatje në rezultate por edhe momente pozitive që kanë ringjallur shpresat për një të ardhme më të suksesshme.
Nëse Foda do të pranojë ofertën nga klubi arab, atëherë FFK do të detyrohet të nisë menjëherë kërkimet për një trajner të ri, në një kohë kur Kombëtarja po përgatitet për ndeshjet e radhës në Ligën e Kombeve dhe eliminatoret për Botërorin 2026.
Takimi mes Ademit dhe Fodës në Austri pritet të jetë vendimtar për fatin e trajnerit në stolin e Kosovës, dhe zhvillimet e ardhshme do të përcaktojnë qartësisht drejtimin që do të marrë përfaqësuesja në muajt në vijim.