Bepe Marota ka dy lajme pozitive për Interin. E para lidhet me rinovimin e kontratës së Lautaro Martinezit dhe e dyta me vazhdimësinë e projektit nga pronarët e rinj. Administratori i zikaltërve është i bindur që kapiteni do të rinovojë, edhe pse është një çështje që kërkon durim dhe disa takime me menaxherin e tij.
Ai po ashtu thumboi Alegrin duke thënë se nuk kishte më garë për titullin në momentin që u përballën me njëra-tjetrën. Ai thotë se në duelin Inter-Juventus, zikaltrit kuptuan forcën dhe nuk patën asnjëherë frikë për objektivin madhor.
E ARDHMJA- “Dua të garantoj se do të ketë vazhdimësi në menaxhim. Dua gjithashtu që të kundërshtoj të gjitha lajmet që publikohen nga inatçinjtë dhe xhelozët për sukseset e Interit që ne jemi një klub me bilance të rregullta dhe në shëndet të plotë. Mund të qëndroni të qetë sepse me ndihmën e tifozëve, lojtarëve dhe trajnerit do të vazhdojmë të marrim emocione të mëdha dhe të rëndësishme në të ardhmen”.
YLLI I DYTË- “Jam shumë i lumtur që ndodhem këtu me ju (tifozët) për të festuar atë që për ne të gjithë ishte një arritje e jashtëzakonshme. Mendoj se Interi është një nga skuadrat më të forta në botë. Do të luftojmë për të marrë rezultate pozitive dhe të kemi guxim dhe kurajë që të arrijmë objektiva të mëdha”.
LAUTARO- “Jemi duke biseduar shpesh me menaxherin e tij. Në fakt ata për të bërë figurë të mirë duan gjithmonë që ta çojnë ujin te mulliri i tyre. Por unë jam optimist sepse Lautaro çdo ditë tregon dëshirën e tij për të qëndruar tek Interi. Nuk është diçka që zgjidhet brenda ditës, por sigurisht që përpara fillimit të grumbullimit për sezonin e ri, do të jetë zgjidhur si situatë”.
TITULLI- “Pika më e rëndësishme e kampionatit ishte fitorja kundër Juventusit. Ishte një garë e fortë dhe kokë më kokë me Alegrin, por pastaj diferencat u bënë të mëdha. Sigurisht që deri në momentin që matematika na dha sigurinë kishim pak ankth, por jo frikë. Ne e dinim që Interi ishte skuadër e fortë dhe arritëm që ta dominonim kampionatin që nga fillimi në fund”.
PANORAMASPORT.AL