Një fitore e madhe ajo e djeshmja që është festuar edhe nga administratori Xhorxho Furlani. Që nga suksesi kundër PSGsë e deri te prurjet e reja në rend drejtuesish (Ibra) administratori i ka komentuar të gjitha në një intervistë për “Sportmediaset”.
A është kjo fitore një sinjal për frymën e bashkimit te Milani?
Jemi një grup i organizuar që nga ne drejtuesit e deri te skuadra dhe stafi teknik. Jemi të gjithë në një drejtim e të bashkuar. Ishte një ndeshje e rëndësishme për rrugëtimin tonë dhe jam i lumtur për rezultatin. Nuk kemi arritur ende asgjë, por tashmë kemi fatin në duart tona.
Në stadium ishte edhe Xherri Kardinale. Për çfarë folët?
Me Kardinalen flas çdo ditë dhe kur është në Milano jemi gjithmonë së bashku. Është një sipërmarrës, por edhe një njeri që dëshiron gjithmonë të fitojë, ndaj e ka me qejf të madh kur Milani fiton. Uroj shumë që të rikthehemi sa më shpejt te suksesi dhe trofetë.
Sa peshojnë fitore të tilla për rritjen e klubit?
Historikisht emri i Milanit ka qenë i lidhur me Ligën e Kampioneve. Kemi ende shanse të vijojmë rrugëtimin tonë në Europë dhe në momente të vështira kemi treguar gjithmonë se sa të lidhur jemi me njëri-tjetrin.
A do të vijë Ibrahomoviçi përsëri te Milani?
Zlatani është një kampion i madh e shumë i dashur për të gjithë milanistët. Jemi në kontakte me të prej shumë kohësh dhe jemi në pritje të shohim se si do të zhvillohen bisedimet mes nesh. Nuk mund të flas për role, por me siguri që është një kampion i madh dhe një njeri i jashtëzakonshëm që e ka Milanin shumë për zemër. Siç thashë, jemi në bisedime e do të shohim çfarë do të ndodhë.
PANORAMASPORT.AL