Tuesday, 17. November 2026
Sport

Agim Ademi: Duam fitore, është koha të jemi pjesë e një gare të madhe

GS 17/11/2026 2 Min. Lesezeit

Kryetari i FFK-së, Agim Ademi, ka thënë se nga kombëtarja e Kosovës pret fitore për të qenë pjesë e një gare të madhe.

Në Klan Kosova, nga Irlanda ai tha se ndeshja kundër Irlandës është shumë e rëndësishme për shkak se varet edhe pozicionimi në grup.

“Është një ndeshje e rëndësishme, e fundit e këtij kompeticioni. Është e rëndësishme sepse varet edhe plasmani i këtij grupi, por edhe i kësaj gare. Nëse ne sot fitojmë ose barazojmë, do të ishte shumë mirë për të qenë në play-off. Por, një gjë e kemi të sigurt se do të jemi sërish në këtë ligë”, deklaroi Ademi.

Ai tha se e do sfidën që Kosova e ka përballë tani.

Kreu i FFK-së tha se kundërshtari është shumë i fortë, gjë të cilën, sipas tij, e ka treguar edhe në këtë garë.

“Gjithsesi, ne e kemi një fitore në Prishtinë dhe shpresoj që ta kemi edhe fatin me vete, sepse këtu varet… secili ekip e do vendin e vet në këtë kompeticion, pra vendin e dytë për play-offin kualifikues, dhe ata vetëm fitorja i çon atje. Edhe ne i kemi objektivat tona, dhe presim së paku, e fundit krejt, një barazim”, u shpreh kryetari i Federatës, Agim Ademi.

Ai tha se pret që sot lojtarët të japin maksimumin.

Ndër të tjera, Ademi tha se për ndeshjet tjera që Kosova i ka në mars, pritet të ketë prurje të reja në mesin e lojtarëve të rinj.

“Nga ky moment, nga ky grup i futbollistëve do të krijohet ekipi për garat më të rëndësishme për ne me qenë në Evropianin e ardhshëm, dhe sigurisht që, nëse gjithçka shkon mirë, shpresoj që Kosovës i ka ardhur koha të jetë në një garë të tillë fitimtare”, tha Agim Ademi në një prononcim për Klan Kosova.

Në fund, ai i falënderoi edhe tifozët që kanë udhëtuar në Irlandë për të mbështetur kombëtaren dardane.

Kosova sonte nga ora 20:45 përballet me Irlandën, në ndeshjen e fundit të kësaj gare të Ligës B të Kombeve,.

Teilen: