Andrea Agostineli debuton sot në stolin e Flamurtarit. Italiani kërkon ta nisë mbarë, madje me fitore përballë Burrelit.
Në konferencën për shtyp të mbajtur bashkë me kapitenin Denis Pjeshka në krah dhe me fanellat e reja në sfond, trajneri tha se nuk është fshehur asnjë herë sapo ka ardhur në Vlorë. Fanellat kanë të stampuara logon e re të klubit, që ka ndryshuar. Prerë dhe qartë, Agostineli tha se kërkon që me Flamurtarin të fitojë titullin e Kategorisë së Parë dhe ta ngjisë në Superiore. Italiani thotë se nuk e kënaq aspak barazimi dhe se në çdo ndeshje kërkon maksimumin, duke nisur nga Burreli.
“Ndeshja e parë e kampionatit shumë e rëndësishme për skuadrën. Fillimi është vendimtar dhe ne kërkojmë një nisje të mbarë. Që nga dita e parë jam këtu, nuk jam fshehur kurrë. Kam ardhur në Vlorë, sepse Flamurtari duhet ta fitojë këtë kampionat.
Jo në mungesë të respektit për kundërshtarët e tjerë, por nuk më pëlqen rezultati 0-0, nuk më pëlqen barazimi. Ashtu sikundër shoqëria më vendosi në këtë pozicion me një skuadër kaq të rëndësishme, unë e kam objektiv që ta fitoj këtë kampionat dhe ta ngjis skuadrën në Superiore.
E kam thënë edhe më parë, se Flamurtari është një emër i madh i futbollit shqiptar dhe duhet të shkojë aty ku e ka vendin.
Të gjithë ne, bashkë, do të bëjmë maksimumin tonë për të arritur këtë objektiv madhor. Flamurtari nuk e meriton që të qëndrojë kaq gjatë në këtë kategori, por duhet të shkojë sa më shpejt aty ku i takon që të jetë dhe ne jemi të ndërgjegjshëm për këtë objektiv që kemi”, tha fillimisht Agostineli.
VLERËSIMI – Andrea Agostineli thekson se Flamurtari është skuadra më e fortë e Kategorisë së Parë. Përveç rezultatit, italiani premton për sportdashësit dhe tifozët vlonjatë edhe një futboll të bukur.
“Flamurtari është një skuadër e fortë me futbollistë cilësorë dhe me eksperiencë. Skuadrat e forta janë skuadra të ekuilibruara. Bota ime e të menduarit është një futboll i favorshëm, një futboll tërheqës. Pra, përveç pikëve maksimale që duam të arrijmë, duam të kënaqim edhe tifozët që do të na ndjekin”, deklaron italiani.
MERKATO – Trajneri italian i Flamurtarit, Andrea Agostineli, duket se po pret edhe një surprizë të fundit në merkato. Në këtë drejtim nuk zbulon shumë, por thotë se së shpejti skuadra do të jetë e plotë 100%. “Merkato për mua është e mbyllur me 99%, por besoj se së shpejti do të jetë 100%”, përfundon Agostineli.