“Ai është 41 vjeç, por përballet me Kampionatin Europian sikur të ishte i pari i tij”, – paralajmëron shoku i tij i skuadrës Joao Palhinha kur i referohet Képler Laveran Lima Ferreira ‘Pepe’ (Maceió, 26.02.1983), i cili, pas mos thirrjes së Craig Gordon, është bërë lojtari më i vjetër (41 vjeç e 109 ditë) në “Euro 2024”. Ai ndiqet, kuriozisht, nga dy ish-shokët e tij të skuadrës te Real Madridi: Cristiano Ronaldo (39 vjeç e 130 ditë) dhe Luka Modric (38 vjeç e 277 ditë).
23 vite, 4 muaj e 16 ditë e ndajnë Pepe nga Lamine Yamal, i cili në moshën 16 vjeç e 337 ditë është bërë lojtari më i ri në Europian. “Mund të jetë si babai i tij”, – bëri shaka Deschamps kur u pyet për diferencën në moshë mes Giroud dhe Zaïre-Emery.
Nuk është rekordi i vetëm i jetëgjatësisë që Pepe, i cili tashmë ka fituar “Euro 2016”, mund të thyejë kësaj vere (portugezi aspiron të parakalojë portierin Gábor Király, 40 vjeç e 86 ditë) si futbollisti më i vjetër në historinë e Kampionatit Europian. Ai gjithashtu, logjikisht, do të kalonte Lothar Matthäus (39 vjeç e 91 ditë) si lojtari më i vjetër në fushë.
Paralelisht kemi në dispozicion të dhëna të tjera, më të ndërlikuara. Ish-bashkëlojtari i tij, Ricardo Carvalho (38 vjeç e 53 ditë) është më i moshuari që e ka fituar kompeticionin. Austriaku Ivica Vastic (38 vjeç e 257 ditë) është golashënuesi më i vjetër, Leonardo Bonucci (34 vjeç e 71 ditë) mund të mburret se është më i moshuari që ka shënuar në një finale Europiani.
Megjithatë, Pepe po vendos limite të pakapshme për jetëgjatësinë në futbollin elitar. Ai sapo është bërë, këtë sezon, futbollisti më i vjetër në fushë (41 vjeç e 14 ditë), që ka luajtur një ndeshje në historinë e Champions League. Qendërmbrojtësi i Portos u bë edhe golashënuesi më i vjetër (40 vjeç e 289 ditë) në këtë kompeticion.
Diçka e paimagjinueshme në vitin 2001, kur ai zbarkoi në Portugali. “Kam mbërritur vetëm nga Brazili. Ishte ora 6 e mëngjesit dhe fluturimi tjetër më priste. Do të shkoja në Madeira për t’u provuar te Marítimo. Mora avionin në 11 të natës. Isha 18 vjeç dhe kisha në xhep vetëm ekuivalentin e 5 eurove, – kujton Pepe për “Tribuna Expresso”. – Me ato para më duhej të zgjidhja mes telefonimit të nënës sime dhe blerjes së një sanduiçi, kështu që mendova: Do të dëgjoj zërin e nënës time, ta siguroj se kam mbërritur dhe jam mirë”.
Tani, megjithatë, Pepe përballet me Kampionatin e tij të pestë Evropian, një moment historik që deri më sot e kishin arritur vetëm Cristiano dhe Casillas. Këtë do ta bëjë edhe si një nga “kapot” e Portugalisë. Ai ka 137 paraqitje me fanellën luzitane. Vetëm CR7 (207 ndeshje) dhe Moutinho (146 ndeshje) e kalojnë atë. Ai ka shënuar edhe 8 gola me Portugalinë, që nga viti 2007, në moshën 24 vjeç e 8 muaj, kur Luiz Felipe Scolari i dha mundësinë të luante për “Seleçao das Quinas”.
Vetë Pepe, i cili në “Katar 2022” u bë lojtari më i vjetër (39 vjeç e 283 ditë) që ka shënuar në fazat me eliminim direkt të një Botërori, bën shaka me formulën e rinisë së tij të përjetshme: “Kam një shok që më sjell mjaltë nga Brazili dhe me atë je imun ndaj shumë gjërave. Është një nga sekretet e mia”.