Trajneri i trajnerëve në Kosovë, Ajet Shosholli, selektori i parë i kombëtares së Kosovës dhe Sejdi Mërkoja, sekretari i parë i përgjithshëm i Federatës së Futbollit të Kosovës, i reagojnë ashpër Baton Haxhiut në lidhje me një deklaratë që ka dhënë në emisionin “Favorit T7”.
Cili është reagimi i Shoshollit dhe Mërkojës?
“E pash në ‘T7’ kah fundi i emisionit, një prononcim të Baton Haxhiut, që sot ishte edhe në facebook, se gjoja ai, po e citoj: ‘Unë dhe Bylbyl Sokoli me një grup njerëzish kemi bërë një futboll paralel këtu në Kosovë gjatë viteve 91’ –99’.
Sejdi Mërkoja
Është një gënjeshtër e kulluar e Baton Haxhiut.
Ai nuk ka lidhje me futbollin kosovar në vitet 1991- 1999 apo me pavarësimin e saj, dihet kush e ka bërë.
Është kryesia e parë me kryetar z. Agim Bytyçi, nënkryetarët Gafurr Kabashi dhe Hamdi Tovërlani, me sekretarin e përgjithshëm Sejdi Mërkoja, dhe anëtarë të tjerë që nuk po mundem të gjithë mi përmendur, me gjithë respektin, që pjesë e kësaj kryesie kam qenë edhe unë si selektor i parë i kombëtares së Kosovës”, thotë Shosholli.
Më tej Shosholli i bën me dije Haxhiut se ai kurrë nuk ka qenë pjesë e futbollit të Kosovës gjatë pavarësimit.
“Derisa i takon Bylbyl Sokolit, ai ka qenë gjatë pavarësimit trajner i Flamurtarit dhe unë bile e kam marrë si ndihmës në kombëtaren e Kosovës.
Pra, i them edhe një herë Baton Haxhiut, që nuk është mirë me gënjye dhe me shtrembëruar historikun e futbollit kosovar. Sepse ai me këtë periodë nuk ka kurrfarë lidhje, periodën më të rëndësishme të futbollit kosovar”, ka nënvizuar Shosholli.
Shosholli habitet se si Haxhiu merr guximin dhe ta kritikon edhe legjendën e futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri.
“Gjithashtu thotë se gjoja ka referuar në fushën me baltë, edhe kjo nuk ka lidhje me atë, se Baton Haxhiu nuk ka referuar asnjë minutë gjatë pavarësimit të futbollit kosovar.
Ai gjithashtu e merr guximin, në një mënyre ta kritikojë edhe legjendën tonë të futbollit z. Fadil Vokrri, se gjoja ai ka lënë një infrastrukturë jashtëzakonisht të keqe në futbollin kosovar.
Edhe këtë po e citoj: ‘Edhe pse thotë ka merita për pranimin e futbollit në UEFA dhe FIFA’, i them Baton Haxhiut, kush je ti me kritiku një legjendë të futbollit, siç është Fadil Viokrri.
Dhe në fund, ai mbajti pak ligjëratë të shkurtër se si duhet të formohet kombëtarja e Kosovës, që ai e preferon me tepër reprezentacionin e Kosovës, si duket i ka mbetur nostalgji me thënë reprezentacion e jo kombëtare.
Kjo nostalgji si duket i ka mbetur nga e kaluara.
Ka njerëz të federatës së parë, të vitit 1991, të cilët munden me u prononcuar apo me dëshmuar se a ka qenë Baton Haxhiu pjesë e futbollit të Kosovës gjatë viteve 1991-1999, pra pjesë e pavarësimit të futbollit të Kosovës.
I preferoj Baton Haxhiut që këtë punë le t’ua lë njerëzve të futbollit, derisa ai le të merret me gjëra tjera e me analiza tjera”, ia ka bërë të qartë Shosholli.
Sekretari i përgjithshëm i Federatës së futbollit të Kosovës në vitin 1991-1993, Sejdi Mërkoja, tha se Baton Haxhiu asnjë ditë nuk ka qenë në futboll në periudhën e pavarësimit.
“Baton Haxhiu nuk ka qenë. Baton Haxhiu ka qenë refer i futbollit në moshë të re deri në vitin 1990.
Mirëpo me zhvillimet për pavarësimin e sportit posaçërisht futbollit nuk ka qenë i kyqur asnjë ditë.
Unë nuk di prej kujt e mori atë drejtë bashkë me disa persona që e ka mëvetësuar futbollin e Kosovës, apo është reklamë e tij.
Ne që kemi qenë të kyqur në futbollin e Kosovës, janë emra të shkruar në librin e futbollit.
Aty janë përmendur personat e kohës së pavarësimit të futbollit të Kosovës. tani reklamohen që na kanë qenë patriotë, nuk është e ndershme me vepruar pas 33 viteve.
Nuk ka qenë i kyqur në asnjë lëvizje të sportit e as të futbollit. Nuk është mirë me shtrembëruar historinë e futbollit të Kosovës”, ka reaguar Mërkoja.