Nathan Ake ka rinovuar kontratën me kampionët e Anglisë dhe Evropës.
Manchester City ka njoftuar zyrtarisht këtë të shtunë për arritjen e marrëveshjes së re me holandezin.
Me kontratën e re Ake do të jetë i lidhur me “Qytetarët” deri më 30 qershor 2027.
Ai ishte një prej më të dalluarve te Man City në sezonin e fundit, në të cilin fitoi tripletën.
28-vjeçari regjistroi 41 paraqitje dhe shënoi tre gola gjatë sezonit të fundit, duke qenë kështu si një prej lojtarëve më të besueshëm të Pep Guardiolas.
Pas rinovimit të kontratës, Nathan Ake thuri lavde për klubin e Manchester Cityt dhe trajnerin Guardiola.
“Ky është klubi më i mirë në botë, nuk kam asnjë dyshim për këtë. Të jesh lojtar i Manchester Cityt më bën jashtëzakonisht krenar çdo ditë. Është një klub futbolli që pret përsosmëri në çdo fushë, gjë që bën që ambienti perfekt të përmirësohet. Më shtyn dhe më bën më të mirë. Jam në fazën e karrierës sime ku dua të vazhdoj të zhvillohem dhe këtë mund ta bëj patjetër këtu”, tha fillimisht ai.
“Pep është trajneri më i mirë në futboll – një gjeni që më ka bërë ta shoh lojën ndryshe – kështu që të mund të punoj më gjatë me të është një privilegj i vërtetë. I jam shumë mirënjohës atij për gjithçka që ka bërë për mua, si personalisht ashtu edhe profesionalisht. Dua gjithashtu të falënderoj tifozët e Cityt për mbështetjen e tyre. E kam ndjerë vërtet që kur kam ardhur këtu dhe më ndihmon shumë. Fokusi im tani është t’i bëj ata krenarë dhe të fitoj më shumë trofe”, deklaroi Ake.