Flaka olimpike për Lojërat Dimërore Milano-Cortina 2026 u ndez zyrtarisht të mërkurën, më 26 nëntor, në një ceremoni solemne pranë Tempullit të Herës në Olimpia. Ky akt simbolik, i zhvilluar në prani të presidentes së CIO-s, Kirsty Coventry, shënon nisjen e stafetes së pishtarit që do të mbërrijë në “San Siro” më 6 dhjetor.
Flaka u krijua nga rrezet e diellit të reflektuara në pasqyrën parabolike, nga ana e “Priftëreshës së Madhe” Estiada, të interpretuar nga Mary Mina. Edhe pse një pjesë e ceremonisë u zhvendos brenda në Muzeun Arkeologjik për shkak të motit, ndezja u krye si gjithmonë në “Pyllin e Shenjtë”. Pishtari iu dorëzua sportistit të parë, Petros Gaidatzis, medalist i bronztë në Lojërat e Parisit 2024 në kanoe, i cili ishte i shoqëruar nga legjenda e sportit të skisë, Stefania Belmondo.
Kirsty Coventry theksoi se Lojërat Olimpike mbeten një simbol paqeje dhe bashkimi, duke kujtuar se fuqia e sportit “bashkon, frymëzon dhe mban gjallë idealet e vjetra të vëllazërisë dhe miqësisë”. Ajo nënvizoi se Lojërat “do të vazhdojnë të ekzistojnë për të shembur muret” dhe se ceremonia e ndezjes rikujton misionin e tyre: garë paqësore dhe respekt ndërpopullor. Coventry shtoi se ‘Milano-Cortina’ do të jenë Lojërat e para që ajo do të drejtojë si presidente e CIO-së, duke shprehur bindjen se pasioni i Italisë do të frymëzojë gjithë botën.
Një emocion i veçantë u shpreh edhe nga Giovanni Malagò, presidenti i Fondacionit Milano-Cortina 2026, i cili mori pjesë në ceremoni së bashku me presidentin e CONI-t, Luciano Buonfiglio, dhe ministrin italian për sportin, Andrea Abodi. Malagò theksoi vazhdimësinë historike mes Lojërave antike dhe moderne, duke kujtuar se rruga e pishtarit do të ndjekë monumente kyçe të civilizimit klasik nga Roma, Pompei e Via Appia deri në zonat e Magna Graecia-s, duke krijuar një urë mes Greqisë së lashtë, Romës antike dhe Olimpit modern.
Flaka olimpike do të udhëtojë në javët e ardhshme nëpër të gjitha provincat italiane: 60 qytete, 300 fshatra, 20 rajone dhe të gjitha sitet e UNESCO-s në Itali. Ajo do të mbahet nga 10.001 bartës pishtari dhe do të përshkojë vendin nga Alpet e veriut deri në brigjet e jugut, duke simbolizuar një vend të bashkuar dhe një histori të përbashkët. Sipas Malagòs, ky udhëtim synon të shfrytëzojë fuqinë e Lojërave për të krijuar mundësi të reja për brezat e rinj.


