Kampionatet evropiane rikthehen këtë fundjavë pas pushimit të ndeshjeve ndërkombëtare, ku në fokus të veçantë do të jetë padyshim derbi i madh anglez mes Arsenal dhe Manchester Cityt.
Aktori i mirënjohur kosovar, Fisnik Ademi njëkohësisht tifoz i zjarrtë i skuadrës angleze Arsenal në një intervistë për ‘GazetaBlic Sport‘ ka komentuar mbi garën e zjarrtë për titullin e Premierligës dhe derbin e madh mes Arsenal dhe Manchester Cityt, shkruan GazetaBlic Sport.
Ademi potencon se kjo është një ndeshje me rëndësi tejet të lartë sidomos për Arsenalin që nuk kanë fituar prej vitit 2015 në ‘Etihad Stadium’.
“Patjetër që është ndeshje shumë e rëndësishme pasi që ndeshen dy ekipe që janë në garë direkte për titullin kampion, por janë edhe shumë xhiro dhe gjithçka mundet me vendos. Është ndeshje shumë e rëndësishme sidomos për Arsenalin pasi është në kërkim të fitores në ‘Etihad’që nga viti 2015 ku herën e fundit Arsenali triumfon si mysafir. Kësaj radhe Arsenali si ekip është pak më i uritur për të fituar, po besoj që Cityt i ka humbur pak interesimi për t’u bërë kampion në Angli. Guardiola ka fituar shumë tituj të Premierligës, kështu që po besoj se kjo ndeshje është më shumë nga ana e Arsenalit”, tha fillimisht aktori i mirënjohur për GazetaBlic Sport.
Tutje, Ademi potencon se Liverpoolin e sheh si rival më direkt për titull sesa Arsenalin duke marr parasysh edhe largimin në fund të sezonit të Jurgen Klopp nga stoli i ‘The Reds’.
“Natyrisht që kandidat për serioz e shoh Arsenalin, kjo jo vetëm se jam tifoz i Arsenalit, por besoj që prej vitit të largët 2004 Arsenali nuk ka qenë asnjëherë më stabil si ekip. Pikët që po i merr edhe si mysafir po tregon se është klub stabil, besoj se është vit që duhet me rikthy titullin në Arsenal. Mendoj se nëse i rrezikohet titulli Arsenalit atë ia rrezikon më shumë Liverpooli”, shtoi Fisnik Ademi.
Ademi u rikthye në kohë për të treguar momentet e para si tifoz i Arsenalit.
“Futboll këqyri që nga mosha 7 vjeç, fillimisht me Arsenalin jam lidh kryesisht me këtë kulturën britanike që më ka përcjell në vitet e 90’ta ku jam rritur me muzikë dhe filma britanik. Kam qenë një adhurues i madh i futbollit, më ka ardhur spontanisht me thënë më shkurt. Pastaj pas luftës na është ‘imponuar’ Premierliga sidomos me transmetimet e lojëve që i ka pasur RTK, Arsenali ka qenë në trend qysh prej kohës së ëenger kur e ka marrur ekipin në 96’tën. Arsenali ka qenë ekip që ka bërë futboll shumë të bukur edhe ka pasur emra që si fëmijë i ke pasur idhuj dhe je lidh me ta si futbollistë. Saktë nuk e di kur ka qenë momenti, por ka qenë krejt spontane dhe e natyrshme prej kultures britanike, angleze. Natyrisht se kanë qenë vitet e arta sidomos sezoni 2003/04 kur kanë shkuar në 49 ndeshje pa humbje, e mbaj në mend se gjithmonë pritsha se kur po don Arsenali me humb, e kam shikuar secilen ndeshje. Ajo është prej momenteve më krenare. Kemi pasur zhgënjime shumë të mëdha, por i kujtoj edhe ato që po bëhen tash e sa vite prej 2004 e tutje”, vazhdoi ai.
Aktori i njohur që tash së fundmi bënë pjesë në ‘castin’ e emisonit “Logjikonomia” ka krahasuar edhe tre prej lojtarëve sulmues të krahut të tri ekipeve [Salah, Saka dhe Foden] duke thënë se Salah mund ta bëjë diferencën për shkak të moshës, por që vë në pah talentet e mëdha të dy futbollistëve anglezë, Foden dhe Saka. Megjithatë sipas tij sulmuesi më i mirë në Premierligë mbetet Erling Haaland.
“Më cilësor, nuk e di. Saka është lojtar me potencial shumë të madh është lojtar i ri. Për më cilësor ndoshta Salah është më cilësor se të dy, edhe pse Foden ka cilësi të jashtëzakonshme, por është shumë e vështirë të ndahen të tre. Saka është lojtar i Arsenalit por është me potencial shumë të madh, Foden poashtu. Salah me eksperiencën që ka ndoshta është më i mirë se këtë të dy, por është një nuancë e vogël që i ndanë. Edhe pse Haaland nuk është duke kaluar një sezon shumë të mirë, por është prej sulmuesve me të mirë që ka jo vetëm Premierliga por edhe bota e futbollit”, përfundoi Ademi për GazetaBlic Sport.
Kujtojmë që derbi anglez zhvillohet të dielën nga ora 17:30.