Eksportuesi më i madh i lojtarëve drejt Arabisë Saudite është Premier Liga, me klubin e Çelsit që ka marrë manovrën kryesore të eksodit të futbollistëve drejt kampionatit arab. Emra si Kante, Kulibali, Zijeh, apo Mendi i janë bashkuar Kristiano Ronaldos dhe Karim Benzemasë në këtë kampionat.
Kontrata me shifra që nuk i kapin as kolosët e tregut europian po firmosen këto javë me shpejtësi, duke shqetësuar edhe ishmbrojtësin e Mançester Junajtidit, Geri Nevil, i cili ka bërë thirrje për një embargo të Premier Ligës drejt Arabisë për të shpëtuar integritetin e kampionatit. Opinionisti tha për “BBC Sport”: “Premier Liga duhet të vendosë një embargo të menjëhershme në transferimet drejt Arabisë për të siguruar që të mos dëmtohet integriteti i këtij sporti.
Duhet bërë kontrolli në lidhje me përshtatshmërinë e transferimeve. Nëse e kalojnë këtë proces, transferimet mund të kryen, por unë besoj se në këtë moment ato duhet të ndalen derisa të verifikohet struktura e pronësisë së Çelsit”. Fondi Saudit i Investimit ka lidhje me pronësinë e bluve, sepse ata kanë aksione në kompaninë “Clearlake Capital”, që zotëron 60% të aksioneve të Çelsit.
MBRETËRIA E LUKSIT – Al-Hilal është një nga klubet saudite që i përket Fondit Saudit të Investimit dhe që po tenton të ulë në stol Xhenaro Gatuzon.
Ata që do të përfaqësojnë këtë klub sezonin e ardhshëm i pret edhe një luks i shfrenuar jashtë fushe: ekipi udhëton me një avion të jashtëzakonshëm “Boeing 747-400”, i cili fillimisht është menduar që të pranojë në bord 400 pasagjerë, por për shkak të modifikimeve është përgatitur për të mirëpritur 50-60 pasagjerë. Ai nuk është në pronësi të klubit, por është mundësuar nga princi Alvaled bin Talal, miliarderi dhe tifozi i madh i Al-Hilalit.
PANORAMASPORT.AL