Lajme negative në shtëpinë e Interit. Është dëmtuar Mehdi Taremi. Sulmuesi iranian ka ndier shqetësime muskulore dhe ka kryer një rezonancë magnetike në klinikën e zikaltërve ku është evidentuar një problem muskulor në kofshën e majtë.
Taremi ditën e mërkurë nuk mori pjesë në ndeshjen brenda grupit pikërisht për shkak të këtij problemi që kishte në kofshë dhe rezultoi diçka më e rëndë nga sa ishte menduar. Kjo do të thotë se ai humbet miqësoren që zikaltrit do të luajnë ditën e sotme kundër Pizës në orën 19:30, e katërta e këtij sezoni pas Luganos, Pergoleteses dhe Las Palmasit.
TELASHE- Lojtari i afruar në merkaton e kësaj vere ishte një nga më të mirët e momentit dhe u përshtat menjëherë në skemat e Inzagit duke udhëhequr skuadrën në miqësoret e zhvilluara deri tani. Madje trajneri e kishte projektuar si titullarin për ndeshjen e parë të sezonit kundër Xhenoas së bashku me Markus Turamin. Problemi është që me këtë dëmtim mund të ndryshojnë planet e Inzagit pasi Taremit do t’i duhet pak kohë që të rikuperojë dëmtimin.
Sipas “Gazzetta Dello Sport” bëhet fjalë për një periudhë 2-javore riaftësimi dhe lojtari do të jetë i gatshëm vetëm 3-4 ditë përpara ndeshjes së parë të Serisë A. Kjo bën që stafi teknik dhe ai mjekësor ta ketë nën vëzhgim për të mos e rrezikuar për të ardhmen. Tani e sigurt është që rolin kryesor në majën e sulmit do ta ketë Markus Turam, por është ideja që mund të integrohet në grup edhe Marko Arnautoviç, i cili deri tani konsiderohet si një lojtar që mund të largohet nga Interi për t’i bërë vend Gudmunsonit. Lautaro Martinez do të rikthehet për disa ditë, por nuk përjashtohet mundësia që në rast të një alarmi në repartin e avancuar, kapiteni të zbresë rregullisht në fushën e lojës si titullar për të formuar dyshen me Turamin.
Gjithçka mbetet për t’u parë hap pas hapi dhe ditë pas dite. E sigurt është që Simone Inzagit iu prishën planet që kishte në fillim. Taremi kishte arritur të shënonte 5 gola në 3 ndeshjet e luajtura deri tani madje 2 dopieta. Trajneri ka kryqëzuar gishtat që lojtari të rikthehet sa më shpejt. Pas Pizës, zikaltrit do të luajnë kundër Al Itihadit në Monza dhe me Çelsin në Stamford Bridge. Këto do të jenë ndeshjet e fundit përpara debutimit me Xhenoan. Deri tani skuadra është paraqitur mirë dhe të rinjtë kanë dhënë sinjale pozitive.
GENTJAN ALINANI-PANORAMASPORT.AL