Monday, 27. April 2026
Sport

Alarmi para Botërorit! Biletat, çmimet e hoteleve dhe vizat 15 mijë dollarë rrezikojnë braktisjen

GS 27/04/2026 2 Min. Lesezeit

Mes vizave prej 15.000 dollarësh për tifozët afrikanë, hoteleve me çmime të trefishuara dhe kontrolleve të hekurta doganore, eventi më i rëndësishëm sportive rrezikon shumë.

Garanci 15 mijë dollarë, kjo është shifra që një qytetar nga Bregu i Fildishtë duhet të paguajë për të marrë vizën amerikane (provizore) për të ndjekur nga afër Kupën e Botës. Një çmim astronomik, që bëhet paradoksal, nëse krahasohet me pagën mesatare vjetore në vendin afrikan, rreth 5 mijë dollarë. Për një punëtor nga Bregu i Fildishtë, ëndrra amerikane do të kushtonte 3 vjet punë. I njëjti trajtim është rezervuar edhe për tifozët e tre kombëtareve të tjera afrikane të kualifikuara për në Botëror.

Por kjo është vetëm një nga nyjet e shumta që turneu duhet të zgjidhë. “Për momentin nuk ka pasur ndonjë rritje të prenotimeve në hotele”, – është alarmi që ngre presidenti i “Hotel Association” të New York. Çmimet në anë tjetër janë rritur.

Hotelet me 3 yje, që normalisht kushtojnë 300 dollarë nata, kanë shkuar në 700 dollarë nata për një dhomë standard. Janë aplikuar tarifat e eventeve të mëdha, si Super Bowl, duke harruar ndoshta që Botërori zgjat një muaj.

Edhe më surreal skenarin e bën kaosi me biletat. Në sitin zyrtar të FIFA-s ka pasur një situatë absurde për 4 bileta për finalen e 19 korrikut në “MetLife Stadium”. Edhe pse pas porte dhe në unazën e parë, këto bileta ishin në shitje për mbi 2 milionë dollarë secila. Pavarësisht polemikave, presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, e ka mbrojtur modelin e çmimit të biletave.

Megjithatë, realiteti për tifozët është brutal. Bileta më ekonomike për finalen i kalon 10 mijë dollarët. Po ashtu, futja së fundi e “front category” – vende premium – ka zemëruar ata që muajt e kaluar kishin nxituar për të blerë biletë në sektorët më pak prestigjiozë nga frika e “sold-out”.

Një tjetër pengesë të fortë përfaqëson burokracia. Kontrollet në dogana janë bërë shumë të forta. Me administratën Trump, kontrollet prekin edhe sendet personale dhe mesazhet në rrjetet sociale. Dhe nëse ka edhe një dyshim të vogël, gjithçka kthehet pas. Kjo klimë ka ndryshuar fluksin, ku New York regjistron gjithmonë e më pak vizitorë europianë.

Teilen: