Arsenali ka marrë një sinjal pozitiv në interesimin e tyre të kahershëm për Benjamin Sesko, me raportime që sugjerojnë se Leipzig mund të jetë i gatshëm të negociojë një çmim më të ulët nga ai fillestar që ishte kërkuar.
Klubi i Ligës Premier ka qenë aktivisht në kërkim të një sulmuesi të nivelit të lartë këtë verë, dhe Sesko ka mbetur vazhdimisht zgjedhja e tyre kryesore.
Andrea Berta, drejtori sportiv i Arsenalit, po udhëheq personalisht kërkimin për një sulmues, me Sesko dhe Viktor Gyokeres nga Sporting Lisbona në listën e tij të ngushtë.
Sipas të përditshmes gjermane Bild, Leipzig mund të pranojë tashmë një shumë më të afërt me 70 milionë euro, për të liruar sulmuesin slloven nga kontrata që e lidh me klubin deri në vitin 2029.
Fillimisht, besohej se klubi gjerman po këmbëngulte për një shumë shumë më të lartë, në intervalin 80 deri në 100 milionë euro, çka kishte detyruar Arsenalin të shqyrtonte alternativa të tjera.
Ndërkohë që Sesko raportohet të jetë i hapur për një kalim në Ligën Premier, agjenti i tij, Elvis Basanovic, ka mbajtur një qëndrim të qartë sa i përket mënyrës se si do të menaxhohet çdo lëvizje e mundshme.
Duke iu përgjigjur spekulimeve se kampi i Seskos po ushtronte presion ndaj Leipzig për të ulur vlerësimin e lojtarit, Basanovic e mohoi kategorikisht këtë dhe theksoi përkushtimin e tyre për të respektuar klubin.
“Kjo është shumë larg nga e vërteta. Ne e respektojmë RB Leipzig dhe jam 100 për qind i bindur se RB Leipzig do të respektojë gjithashtu vendimin tonë për hapin e radhës, kurdo që ta marrim”.
“Edhe nëse mund të ketë, ose do të ketë, një dëshirë të fortë nga lojtari për të kaluar te një klub i caktuar, ne nuk do ta detyrojmë apo shantazhojmë Leipzigun”, ka thënë Basanoviq..