Një situatë qesharake është ajo që po ndodh në Shkodër dhe që ka marrë edhe jehonë ndërkombëtare.
“Atë që i bën politika shqiptarëve, nuk ia bën as Serbia”, shkruante dje media boshnjake Sport sportba, duke iu referuar cështjes së shumëpërfolur në Shkodër. Teksa Vllaznia bëhet gati për Europën, Bashkia e Shkodrës kërkon të bëj një koncert të madh me Bujar Qamilin në Loro Borici.
Nëse kjo do të ndodh siç pritet, atëherë Vllaznia është e detyruar që të mos luajë në Loro Borici për ndeshjet e Europës. Bashkia nuk tërhiqet pas nga vendimi i saj, ndërsa Alban Xhaferi, kreu i klubit të Vllaznisë, ishte i ftuar sot në “Shqipëria Live”.
Ai tregoi se e ka mbështetur koncertin e Bujar Qamilit duke qenë sponsori i këtij koncerti pas një bisede të tijën me këngëtarin, por ai nuk e dinte se ky koncert do të bëhej pikërisht në stadiumin Loro Borici.
“Është pak estradë, humor shkodran. Unë jam sponsor i koncertit të Bujar Qamilit sepse më ka marrë privatisht që do të bënte një koncert të madh dhe duke njohur figurën e tij, e pranova me kënaqësi të madhe.
Është krenari për Shkodrën dhe Shqipërinë, duhet ta mbështesim Bujarin. Këtu futet edhe humori tani, unë isha sponsor, por nuk e dija fare se ku do të bëhej koncerti i Bujar Qamilit.
Në vitet 90 është bërë një koncert në stadiumin e Shkodrës dhe ka 30 vite që aty nuk bëhen koncerte, pra nuk e ka ndryshuar kurrë destinacionin ky stadium.
Tani flitet për një ndryshim destinacioni, nuk është halli te Bujar Qamili, por te qasja që ka Bashkia. Ne nuk dinim asgjë për koncertin, vetëm kur kemi parë Bujar Qamilin te stadiumi duke bërë disa prova, unë jam habitur.
Njoftuam menjëherë FSHF që këtu do të bëhet një koncert. Stadiumi është licencuar për të luajtur Vllaznia në Europë, aty ka disa standarte, disa kritere nga UEFA që duhet të plotësohen. Jemi habitur kur kemi parë pjesëtarë të Bashkisë aty në stadium pa na njoftuar askush sepse ne e kemi në përdorim dhe përsa kohë e kemi në përdorim, mbajmë edhe përgjegjësi për të, por përgjigja e tyre ka qenë që në stadium do të bëhen koncerte të vazhdueshme sepse stadiumi është pronë e tyre”, tha Xhaferi.