Monday, 31. August 2026
Sport

Albulena Haxhiu e dekoron me Medaljen Presidenciale të Meritave boksieren Donjeta Sadiku

GS 31/08/2026 2 Min. Lesezeit

Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, e ka dekoruar me Medaljen Presidenciale të Meritave sportisten Donjeta Sadiku, për suksesin e veçantë të shpalljes kampion në Lojërat Mesdhetare kontributin në boks dhe përfaqësimin e denjë të Republikës së Kosovës në arenën ndërkombëtare.

“Në hapjen e Lojërave Mesdhetare në Taranto të Italisë, Donjeta mbajti me krenari flamurin e Republikës së Kosovës gjatë parakalimit të sportistëve tanë. Pak ditë më vonë, pas fitores në finale ndaj përfaqësueses së Serbisë, Kristina Kuluhova, ajo fitoi medaljen e artë dhe e ngriti flamurin tonë në majën më të lartë të podiumit. Një sukses historik për Donjetën dhe Kosovën”, ka shkruar Albulena Haxhiu në faqen zyrtare në rrjetin social “Facebook”.

Haxhiu e ka përgëzuar edhe trajnerin e Donjetës, Marjola Sallauka.

“E përgëzova Donjetën, trajneren Marjola Sallauka dhe të gjithë ekipin e saj për këtë arritje të madhe, duke u uruar suksese të mëtejshme dhe medalje të tjera në garat e ardhshme. Me punën dhe sukseset e vazhdueshme, Donjeta vazhdon të jetë shembull i shkëlqyer i sportistes që e përfaqëson Kosovën me krenari dhe dinjitet”, shkroi ndër të tjera Albulena Haxhiu.

Boksierja kosovare ka bërë një paraqitje të jashtëzakonshme në finalen e kategorisë deri në 60 kilogramë, duke mposhtur boksieren ruse me nënshtetësi serbe, Kristina Kuluhova.

Sadiku e dominoi meçin dhe në rundin e dytë e detyroi kundërshtaren të dorëzohej, duke siguruar kështu medaljen e artë për Kosovën.

Teilen: