Në funksion të rrjedhshmërisë së futbollit modern, numrat për të përcaktuar sistemet e lojës duken se nuk kanë më kuptim.
Megjithatë mbetet fakti që për të vlerësuar kontrastet që krijohen natyrshëm në fushë, nuk mund të mos i kushtohet vëmendje numrit të lojtarëve që përbëjnë repartet e ndryshme. Juventusi dhe Interi do të përballen me 3-5-2, por duke qenë se çdo situatë është rezultat i karakteristikave të individëve, interpretimet padyshim do të jenë të ndryshme.
BARDHEZINJTË – Përtej problemeve në përbërje të skuadrës që lidhen me mungesat dhe kushtet fizike të protagonistëve, është e lehtë të imagjinohet që Alegri të vendosë, të paktën për një pjesë të ndeshjes, të ushtrojë presing në ndërtimin nga poshtë të Inzagit. Vitin e kaluar ai e bëri këtë duke u fokusuar në një sërë duelesh individuale, ku një sulmues u kujdes për qendërmbrojtësin dhe dy anësorët iu besuan mesfushorit të djathtë dhe anësori të majtë. Sulmuesi tjetër u përpoq të kontrollonte regjisorin, me dy mesfushorët e tjerë që patën në patronazh Barelën dhe Mikhitarianin. Një sistem presioni që pengoi pak daljen e zikaltërve, edhe sepse, veçanërisht Kostiç, u pozicionua në mënyrë të tillë që të pengonte një pasim të lehtë drejt anësorit, duke shtyrë kështu manovrën e Interit drejt zonave qendrore. Avantazhi i Juventusit ishte i dyfishtë: privimi i Interit nga mundësia për të shfrytëzuar krahët (forca reale e skuadrës së Inzagit) dhe të pasurit pak hapësirë për të arritur në zonën e kundërshtarit në rast të rikuperimit të topit në një zonë të avancuar (duke qenë se Juventusi nuk shkëlqen në fazën e posedimit).
ZIKALTRIT – Megjithatë, nëse ka një karakteristikë që i bën zikaltrit një ekip të vështirë për t’u përballur, është aftësia për të ndryshuar formën gjatë fazës së ndërtimit. Mjafton të zgjerohet një anësor, të lihet një mesfushor të avancojë dhe të lejohet një nga qendërmbrojtësit të lëvizë lart me topin, për të vënë në vështirësi strategjitë e kundërshtarit. Nga këtu mund të nisë seria e lojërave që e bëjnë skuadrën e Inzagit të dallueshme në kampionat: ndryshimet e lojës, depërtimet e mesfushorëve duke u mbivendosur apo në zonën e penalltisë, vertikalizimet për sulmuesit dhe kërkimi i përparimit nga jashtë. Problemet për Interin do të vijnë kur Juve të kalojë në modalitetin e mbrojtjes pozicionale (e lehtë të imagjinohet se do ta bëjë këtë në pjesën më të madhe të ndeshjes). Duke mos shfrytëzuar veçanërisht driblimin për të kërkuar epërsi numerike dhe duke mos përdorur sistematikisht presing, do të jetë komplekse për zikaltrit të gjejnë hapësira të luajtshme kundër një ekipi që di të mbyllë shumë mirë në zona të ulëta, ndonjëherë edhe shumë të ulëta të fushës. Është e lehtë të imagjinosh një lojë shahu, ndoshta jo spektakolare sipas standardeve të përbashkëta estetike, por sigurisht me interes taktik.
NISLI GJINI-PANORAMASPORT.AL