Pasi humbi brazilianin Thiago Silva, të cilin Allegri e pëlqente shumë, Milani vazhdon të kërkojë mbrojtës. Në listën e drejtorit sportiv Igli Tare prej disa ditësh është Federico Gatti, i cili ka rinovuar me Juventusin deri në 2030-ën.
Për bardhezinjtë Gatti konsiderohet shumë i rëndësishëm edhe pas rikthimit të Gleison Bremer. Tare, edhe pse i ka të qarta vështirësitë e operacionit, po provon të gjitha mënyrat për t’ia plotësuar dëshirën trajnerit. “Repubblica” ka hedhur edhe hipotezën e një shkëmbimi të mundshëm me Samuele Riçi, apo edhe me Koni De Winter. Mundësitë më të mëdha janë që në bisedime të përfshihet ky i fundit.
Gatti do të ishte i lumtur të ritakohej me trajnerin Allegri, i cili e lançoi dhe e rriti shumë. Ajo që duhet parë ka të bëjë me qëndrimin e dy klubeve, nëse do të avancojnë me bisedimet për një shkëmbim të mundshëm, apo do të evitojnë përforcimin e një rivali direkt.


