Tuesday, 17. February 2026
Futboll

Allegri për Inter-Juve: S’ka kuptim të flasim më, këto situata kanë ekzistuar gjithmonë

GS 17/02/2026 2 Min. Lesezeit

Massimiliano Allegri foli në konferencë për shtyp para ndeshjes me Comon, duke komentuar edhe polemikat pas Inter-Juventus: “Kanë folur tashmë shumë njerëz, është e kotë të vazhdojmë, sepse nuk na shërben. Duhet të mbetemi të përqendruar tek objektivi ynë dhe të mos shpërdorojmë kot energji nervore e mendore”.

Ai shtoi: “E rëndësishme është të menaxhojmë të papriturat dhe të mos shpërqendrohemi nga situata që në futboll kanë ekzistuar gjithmonë dhe do të ekzistojnë. Ka persona kompetentë që po përmirësojnë VAR-in në aspektin objektiv”.

Për arbitrimin: “Nuk e di nëse duhet profesionalizim. Serie A është e bukur dhe këto gjëra kanë ndodhur gjithmonë. Në vend që të analizojmë gabimet e lojtarëve apo trajnerëve, fokusohemi tek arbitrat. Duhet ta ulim presionin ndaj tyre”. Në fund theksoi: “Në Itali presioni është i madh, sepse kualifikimi në Champions është çështje jete ose vdekje ekonomike. Duhet të qëndrojmë të fokusuar tek objektivi final”.

Massimiliano Allegri u ndal edhe te roli i lojtarëve dhe polemikat e fundit: “Nuk është e lehtë ta shpjegosh lojën e futbollit, nuk mund t’i indoktrinosh të gjithë. Futbolli është i bukur sepse më i dobëti mund të mundë më të fortin. Për atë që ndodhi të shtunën iu vjen keq të gjithëve, por të parët që vuajnë janë protagonistët. Tani duhet të rikthehemi të luajmë dhe të bëjmë një fund sezoni të bukur, që është gjëja më e rëndësishme për futbollin italian”.

Për ndikimin e polemikave tek Interi apo Juventusi: “Është e pamundur ta parashikosh. Në fund të kampionatit do të kuptojmë kush ka qenë më i përqendruar, sepse gjithçka varet nga rezultati. Në të kaluarën edhe unë kam bërë gabime në polemika, kam rënë në to…, tani tërhiqem dhe dëgjoj”.

Teilen: