Allegri: “Sezoni i Milanit fillon sot” – flet për mungesën e Leaos, afrimet e reja dhe sfidën ndaj Bolognas
Massimiliano Allegri është shprehur se sezoni i Milanit “nis sot”, teksa skuadra e tij përgatitet të presë Bolognan të dielën në mbrëmje në “San Siro”.
Në konferencën për shtyp para ndeshjes, trajneri italian analizoi situatën e kuqezinjve pas dy javëve të para të Serie A dhe foli për lojtarët kryesorë që do të kenë rol këtë edicion.
Fillimi i ri pas pushimit ndërkombëtar
Milan u rikthye nga ndërprerja e kombëtareve pas një starti të luhatshëm: një humbje 2-1 në shtëpi ndaj Cremoneses dhe një fitore bindëse 2-0 në transfertë kundër Lecce. Allegri theksoi se tashmë skuadra duhet të tregojë stabilitet:
“Sezoni praktikisht fillon sot. Përballë kemi Bolognan, që nuk është më një surprizë, por një ekip i konsoliduar në zonën e sipërme të tabelës. Kanë shpejtësi, teknikë dhe intensitet. Ne humbëm ndeshjen e parë në shtëpi duke pësuar dy gola të evitueshëm. Nesër duhet të bëjmë më mirë,” u shpreh ai.
Objektivi: Champions League
Allegri pranoi se nuk është e lehtë të thuhet nëse Milani është gati për t’u përballur me objektivat madhorë, por konfirmoi se qëllimi kryesor është kthimi në Ligën e Kampionëve.
“Nuk e di nëse jemi gati, por duhet të fitojmë. Klubi ka bërë një punë të mirë, kemi një përzierje të rinisë me përvojën. Do të jetë një rrugëtim i vështirë, por synimi është të rikthehemi në Champions.”
Problemet me dëmtimet: Leao mungon
Trajneri konfirmoi mungesën e yllit portugez Rafael Leao, i cili do të humbasë sfidën me Bolognan dhe me shumë gjasa edhe ndeshjen ndaj Udineses.
“Leao ka një problem me muskujt e pulpës, shumë i rrezikshëm si dëmtim. Nuk do të jetë nesër dhe as në Udine. Estupinan është gati, Pulisic gjithashtu është mirë.”
Rabiot, Nkunku, Gimenez dhe prurjet e reja
Në lidhje me afrimet e verës, Allegri tregoi entuziazëm për lojtarët e rinj, edhe pse disa prej tyre ende nuk janë në formë optimale.
“Rabiot është mirë fizikisht, por duhet të shohim nesër. Nkunku është më mbrapa sepse nuk ka stërvitur me grupin tek Chelsea. Ka 25-30 minuta në këmbë. Gimenez është kthyer nga kombëtarja në formë të mirë dhe mendoj se do të ketë një sezon të shkëlqyer,” theksoi tekniku.
Pa eufori dhe pa dramatizim
Allegri kërkoi qetësi dhe ekuilibër në menaxhimin e sezonit:
“Sezonet vendosen nga marsi në maj. Duhet të kemi forcë dhe përgatitje për të luftuar atëherë. Nuk duhet të ngazëllehemi pas fitoreve dhe as të zhgënjehemi pas humbjeve. Ka shumë variabla në futboll. Nuk fiton me një lojtar dhe nuk humb vetëm për shkak të një tjetri. Duhet të punojmë me pasion dhe qetësi.”
Ndeshjet jashtë Italisë
Në fund, Allegri komentoi edhe mundësinë që disa ndeshje të Serie A të luhen jashtë vendit, madje edhe në Australi:
“Ka organe kompetente që vendosin për këto gjëra. Nëse na thonë të shkojmë në Perth, do të shkojmë. Nëse luajmë në Itali, aq më mirë. Duhet ta pranojmë momentin dhe të japim maksimumin kudo që të jemi.”