Trajneri i ardhshëm i Real Madridit, Xabi Alonso, ka kërkuar nga presidenti Florentino Perez që t’i rinovojë kontratën e Luka Modricit.
Mesfushorit kroat i skadon kontrata në fund të muajit qershor dhe deri më tani nuk kanë nisur bisedimet për një marrëveshje të re.
Sipas “Radio Marca”, Xabi Alonso, i cili pritet të zëvendësojë Carlo Ancelottin dhe të marrë drejtimin e ‘Los Blancos’ nga e hëna e ardhshme, ka kërkuar në mënyrë të qartë dhe të drejtpërdrejtë që Modric të qëndrojë edhe për një sezon tjetër.
Xabi e vlerëson përvojën e kapitenit të Kroacisë si thelbësore për skuadrën dhe i ka bërë të ditur drejtuesve të klubit se dëshiron ta ketë në dispozicion për sezonin e ardhshëm.
39-vjeçari ka zhvilluar plot 590 ndeshje me fanellën e Real Madridit. Një rinovim do t’i mundësonte atij të luante në Kupën e Botës për Klube muajin e ardhshëm dhe të niste sezonin e tij të 14-të në “Santiago Bernabeu”.