Friday, 27. November 2026
Sport

Ambasada e SHBA-së paralajmëron qytetarët amerikanë për protestat e 28 dhe 29 nëntorit në Tiranë

GS 27/11/2026 2 Min. Lesezeit

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë lëshoi sot një njoftim sigurie lidhur me protestat e paralajmëruara në Tiranë më 28 dhe 29 nëntor, duke u kërkuar qytetarëve amerikanë të shmangin zonat ku do të zhvillohen tubimet dhe të tregojnë kujdes të shtuar.

Nëpërmjet një njoftimi, Ambasada paralajmëron se protestat në qendër të kryeqytetit dhe pranë ndërtesave qeveritare mund të shkaktojnë bllokime rrugësh dhe devijime të trafikut, duke rikujtuar se disa prej demonstratave të mëparshme janë shndërruar në trazira të dhunshme, me përdorimin e mjeteve ndezëse, hedhjen e gurëve dhe dëmtimin e pronave.

Sipas njoftimit, personat që ndodhen në zonat e protestave ose pranë tyre mund të ekspozohen ndaj gazit lotsjellës, fishekzjarrëve, mjeteve ndezëse dhe predhave prej gome.

“Ambasada e SHBA-së në Tiranë ka këshilluar personelin e saj të shmangë të gjitha zonat e demonstratave. Ju lutemi qëndroni vigjilentë dhe jepini përparësi sigurisë suaj personale. Ndiqni mediat lokale dhe udhëzimet e autoriteteve vendase të zbatimit të ligjit për informacionet më të fundit”, thuhet në njoftim.

Paralajmërimi vjen ndërsa grupime të ndryshme kanë njoftuar zhvillimin e protestave në kryeqytet, në ditën e 114-vjetorit të Pavarësisë, por me orare të ndryshme.

/rtsh.al/

Teilen: