Mbrojtësi kosovar Amir Rrahmani është shumë pranë arritjes së marrëveshjes për rinovimin e kontratës me Napolin, duke konfirmuar edhe një herë rëndësinë e tij në repartin mbrojtës të skuadrës italiane.
Bashkëpunimi ndërmjet Napolit dhe kapitenit të Kosovës nisi në verën e vitit 2020, edhe pse kartoni i tij ishte siguruar nga Hellas Verona FC që në janar të atij viti. Aktualisht, kontrata e Rrahmanit skadon më 30 qershor 2027, por drejtuesit e klubit po punojnë intensivisht që ta zgjasin atë deri në vitin 2029.
Sipas raportimeve nga Italia, marrëveshja e re pritet t’i sjellë përfaqësuesit kosovar një pagë prej rreth 3 milionë eurosh në sezon.
Napoli po kalon një periudhë delikate sa i përket kontratave, pasi disa prej emrave kryesorë të skuadrës kanë gjithashtu marrëveshje që përfundojnë në vitin 2027, por Rrahmani nuk konsiderohet si lojtar “në rrezik” për t’u larguar.
Arsyeja është e qartë: sa herë që mungon kosovari, mbrojtja e Napolit humb stabilitet. Pavarësisht problemeve fizike që e kanë shoqëruar në periudhën e fundit, rikthimi i tij ka sjellë menjëherë siguri në repartin defansiv.
Napoli regjistroi dy ndeshje pa pësuar gol pas rikthimit të tij, duke treguar ndikimin e madh që ka 31-vjeçari në lojën e skuadrës.