Vetëm pak ditë më parë Barcelona zyrtarizoi një kontratë me Republikën Demokratike të Kongos prej së cilës do të përfitojë në total 40 milionë euro në katër vite.
Si pjesë e akordit të lidhur mes shtetit afrikan dhe klubit spanjoll, ky i fundit duhet që të mbajë në uniformat e stërvitjes slloganin “DR Congo – Coeur de L’Afrique” (Republika Demokratike e Kongos – Zemra Afrikës). Gjithashtu shumë shpejt në “Spotify Camp Nou” do të vendoset një hapësirë ku shteti në fjalë do të mund të tregojë “diversitetin në kulturë dhe sport në Republikën Demokratike të Kongos”. Nga ana e tij klubi katalan ka komentuar se ky akord “promovon futbollin dhe kulturën e e sportit e të paqes”.
Por marrëveshja është kritikuar shumë ashpër nga “Amnesty International”, e cila ka bërë me dije se Republika Demokratike e Kongos po përdor të tilla kontrata për të “ndryshuar imazhin e një vendi ku në të vërtetë nuk respektohen të drejtat e njeriut”. Barcelona nuk është skuadra e vetme që ka bërë një kontratë të tillë pasi akord me Republikën Demokratike të Kongos kanë edhe klube si Monaco, Milan dhe Arsenal.