Ruben Amorim, trajner i Manchester United, foli në konferencë për shtypin për ndeshjen e “Red Devils” kundër Southampton-it, që zhvillohet këtë të enjte. Trajneri tha se skuadra e tij duhet të përballet me kundërshtarin në të njëjtën mënyrë siç u përball me Liverpool-in dhe Arsenal-in, por që këtë herë Man. United do të ketë “presionin për të fituar”, ndryshe nga dy ndeshjet e fundit. Sa i përket Rashford-it, Amorim… nuk tha asgjë.
“Jam gjithmonë i shqetësuar, sepse nuk kemi treguar konsistencën që duhet të kishim në ndeshje të tilla”, filloi Ruben Amorim, duke shtuar se skuadra duhet të “përballet me këtë ndeshje sikur të ishte kundër Liverpool-it dhe Arsenal-it: As më shumë, as më pak.”
“Duam të kemi presionin për të fituar. Me Arsenal-in dhe Liverpool-in, askush nuk priste që të fitonim. Na duhet ky presion për të mundur të rritemi”, shtoi trajneri.
“Kjo ndeshje do të më tregojë më shumë për lojtarët e mi sesa dy ndeshjet e fundit, sepse askush nuk priste asgjë nga ne në ato raste. Tani, të gjithë presin që të fitojmë.
Sigurisht që ka presion, por, në këtë moment, unë nuk e ndiej atë, sepse nuk kemi fituar kampionatin vitet e fundit. Nuk ndiej presionin se, nëse nuk e fitoj këtë vit, duhet ta fitoj vitin tjetër’, vazhdoi trajneri, duke theksuar:
“Në këtë moment, duhet të fitojmë ndeshje.”