Trajneri i Mançester Junajtidit, Ruben Amorim, paralajmëroi se ata po luftojnë për të shpëtuar punët e tyre, ndërsa u përpoq që ta largonte vëmendjen nga historia e Markus Rashfordit që përfshiu klubin në janar.
Rashford u largua nga Junajtid, i cili renditet në vendin e 13-të në tabelën e Premier Ligës pasi ka pësuar shtatë humbje në “Old Trafford” këtë sezon, duke iu bashkuar Aston Vilës në formë huazimi deri në fund të sezonit. Gjatë konferencës së tij për shtyp të enjten, përpara ndeshjes së raundit të katërt të Kupës FA sonte mbrëma kundër Lestërit në “Old Trafford”, Amorim u pyet për huazimin e sulmuesit të tij.
“Ne po luftojmë për punët tona deri në verë. Unë jam i fokusuar vetëm në këto ndeshje”, tha ai.
“Fatmirësisht për Markus, ai është në Birmingam tani, me Unai (Emerinë), kështu që ju mund t’i drejtoni pyetjet te një trajner tjetër gjatë këtyre muajve. Ne jemi të fokusuar vetëm te lojtarët tanë për momentin. Unë e dija që kur zgjodha këtë profesion që ju keni rrezikun e rezultateve dhe e dija që kur erdha këtu. Pash kalendarin, pash ekipin dhe kuptova se vendimi im për të ndryshuar gjithçka, për të marrë këto vendime të vështira në mes të sezonit pa nënshkrime të reja është një rrezik për një trajner. Por që nga dita e parë, me rezultate të mira apo të këqija, e kam të qartë se çfarë dua të bëj dhe i marr këto rreziqe, sepse në fund mendoj se do të shpërblehet. Por unë nuk jam naiv; e kam thënë shumë herë që ky është një sport rezultatesh dhe jemi në një situatë të vështirë”. Klubi lejoi Antoninë, Malacian dhe Rashfordin që të largoheshin nga klubi në formë huazimi, me mbrojtësit e rinj Aiden Hevën dhe Patrik Dorgu të vetmet afrime.
Ata u dukën pranë transferimit të sulmuesit të Bajernit, Matis Til, por 19- vjeçari iu bashkua Totenhemit në formë huazimi deri në fund të sezonit. Duke analizuar merkaton, 40-vjeçari tha: “Ajo që unë ndiej është se klubi po merr kohën e tij. Ne e dimë urgjencën e ekipit për momentin, por mendoj se të gjithë këtu nuk duan të bëjnë të njëjtat gabime që kemi bërë në të kaluarën. Duhet të përmirësojmë lojtarët që kemi, të fitojmë disa ndeshje dhe më pas në verë do të shohim. Jemi shumë të kujdesshëm me transferimet, sepse kemi bërë disa gabime në të kaluarën. Është një moment që është e vështirë të ndryshosh gjërat në disa ndeshje. Do të jetë kështu – vërtet e vështirë – deri në fund të sezonit. Ne duam një gjë ndryshe në ekipin tonë, duam profile dhe kjo është zona ime, kështu që ishte vendimi im të mos bëja ndryshime të mëdha në janar”
ANDROKLI DRALO-PANORAMASPORT.AL