Lionel Mesi është lojtari i ri i Inter Majemit, duke bërë një kthesë të papritur në atë që dukej se do të ishte destinacioni i tij i ardhshëm dhe arritur një akord në fund për t’iu bashkuar ekipit të MLS-së.
Në garën për firmën e kampionit të botës ishin tri klube kryesore, Al-Hilali i Arabisë Saudite, FC Barcelona në Spanjë dhe Inter Majemi në SHBA. Katalanasit ishin preferenca e parë e tij, ndërsa ishin edhe opsioni më i mirë për “pleshtin” nga ana sportive. Ofertën më joshëse financiare e bënë sigurisht sauditët e Al Hilalit, por ai nuk përfundoi në asnjërin prej këtyre klubeve. Por cilat janë arsyet kryesore përse rikthimi i tij në “Camp Nou” nuk përfundoi me sukses?
NUK MORI GARANCI – Një rikthim i bujshëm në Spanjë raportohet se ishte opsioni i preferuar i Mesit dhe ish-klubi ishte gjithashtu i prirur ta kthente atë, me Ksavin që negocionte personalisht, por edhe babanë e futbollistit që takonte presidentin e klubit. Megjithatë, edhe pse katalanasit kanë arritur të marrin dritën jeshile nga LA LIGA për të bërë një lëvizje për Mesin, ata ende duhet të bënin shitje për të financuar operacionin. Kampioni i “Katar 2022” donte që e ardhmja e tij të zgjidhej sa më shpejt të ishte e mundur dhe Barcelona nuk ishte në gjendje të jepte garanci.
MARRËVESHJA ME SPONSORËT – Edhe pse ai nuk fitonte asgjë më tepër përveç pagave të raportuara të ofruara nga klubi saudit, kalimi në MLS është fitimprurës dhe shumë joshës për markën e Mesit. Sipas “The Athletic”, Mesi thuhet se do të marrë një pjesë të fitimeve të regjistruara nga sponsorët “Adidas” dhe “Apple”, dy kompani të lidhura me MLS-në, vetëm që ai t’i bashkohej Inter Majemit. Thuhet se ai do të ketë gjithashtu mundësinë për të zotëruar disa aksione në klubin e Bekhamit.
FAMILJA E TIJ – Mesi është dukshëm një njeri familjar dhe ata janë të përfshirë në vendimet që ai merr. Ai nuk e pa veten të zhvendosej në Arabinë Saudite me familjen e tij, ndaj dhe vendimi për të zgjedhur Inter Majemin ishte më shumë se natyral dhe presioni atje do të jetë më i vogël se në Barcelonë.
PANORAMASPORT.AL