Fitorja me shifrat e pastra 3-0 kundër Shtutgartit ka rikthyer qetësinë te Bajerni. Kampionët, edhe pse ende gjenden në vendin e dytë të tabelës, me performancën e fundit në Bundesligë, kanë ngjallur shpresat te tifozët dhe më gjerë, se ata janë të aftë të mbrojnë kurorën në kampionat dhe vendosnin hegjemoninë përtej kufijve.
Herri Kejn dhe Tomas Tuhel e vlerësuan impenjimin e ekipit në tërësi si ndeshjen më të mirë në sezonin aktual, por në bazë të analizës rezulton se jo gjithçka shkoi në mënyrën ideale, megjithëse tekniku i bavarezëve ka një arsye tepër specifike dhe domethënëse për t’iu gëzuar lojës në përgjithësi. TË
QËNDRUESHËM EDHE PA KIMISHIN E GORECKËN-
Fillimisht u pa me skepticizëm inkuadrimi i Aleksandër Pavloviçit dhe Rafael Guerreiros para mbrojtjes, ekzaktësisht në profilin e ndërtuesit dhe shtytësit. Më pas Tuhel tha se Kimish e Gorecka e patën të pamundur përfshirjen prej virozave. Në plan të parë, marrë në konsideratë edhe ecurinë e kundërshtarit, u cilësua si eksperiment në momentin e gabuar, por si Guerreiro dhe Pavloviç realizuan punë për t’u duartrokitur. Skenari në fjalë bën të kuptosh se “garda e vjetër” para mbrojtjes e kanë humbur statusin e të pazëvendësueshmit. Ish-lojtari i Dortmundit kontribuoi me grintë në çdo prekje, edhe kur topi i rrëshkiste nga këmbët, teksa talenti 18-vjeçar përpiqej të krijonte fantazi në mesfushë, ndonëse është detyruar të ngrohtë stolin në ciklin ekzistues, si pasojë e konkurrencës.
ZOTËRIMI I TOPIT-
Ishte kthyer e “traditës” që posedimi i topit t’i takonte Bajernit në kampionat, madje dukshëm më tepër se rivali. Ama kjo tablo nuk u pa në duelin me Shtutgartin. Kampionët ia lanë sferën rivalit, ndërsa interpretimi i tyre gjeti qasje në shfrytëzimin e hapësirave dhe daljet e shpejta, e ku rezultoi e suksesshme. Në fraksionin e parë të lojës, posedimi i topit shkoi deri në kuotën e 38%, tregues se Tuhel nuk dëshiron më kontrollin e lojës, por efikasitetin në shanset e paraqitura.
“ZGJIMI” I KEJNIT-
Tri ndeshje zgjati periudha e thatësirës për Herri Kejnin me Bajernin në të gjitha frontet. Kjo distancë hodhi hipotezat se fillimi ishte “shuar” para kohe dhe Herri tashmë do të kthehet në “normalitet”. Por bomberi anglez u dha “shuplakë” këtyre aludimeve, duke gjetur dy herë rrugën e golit dhe kapur shifrën e 20 finalizimeve pas 14 prezencash në ligë.
PANORAMASPORT.AL